Stuhia përmbyt ndërtesën e AShAM-it, ka automjete të bllokuara në nënkalime, dëme në shtëpi e biznese
Shirat e rrëmbyeshëm që goditën të mërkurën Maqedoninë e Veriut shkaktuan përmbytje të shumta, dëme materiale dhe vështirësi serioze në komunikacion, ndërsa situata më e rëndë u regjistrua në Shkup.
Sipas të dhënave të Qendrës për Menaxhim me Kriza, dhjetëra qytetarë kanë kërkuar ndihmë përmes numrit emergjent 112, duke raportuar rrugë të përmbytura, automjete të bllokuara, shtëpi dhe objekte afariste të mbushura me ujë.
Ndër rastet më serioze janë dy nënkalime të përmbytura, njëri pranë rrethrrotullimit të Butelit dhe tjetri në bulevardin “Serbia” në Kisella Vodë, ku automjetet mbetën të bllokuara. Nën ujë përfunduan edhe disa rrethrrotullime të rëndësishme të qytetit, përfshirë ato pranë East Gate, Moto Center, Cementarës dhe Zhelezarës.
Përmbytje janë raportuar në dhjetëra shtëpi, bodrume dhe garazhe në lagjet Kisella Vodë, Çair dhe Autokomandë. Uji ka depërtuar edhe në magazinën e marketit Vero në Çair, si dhe në një magazinë private në Kisella Vodë. Probleme janë regjistruar edhe në parkingje dhe rrugë dytësore në Aerodrom dhe Rasadnik.
Dëme ka pësuar edhe objekti i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (AShAM), ku janë përmbytur bodrumet dhe garazhet, ndërsa uji ka hyrë edhe në hollin kryesor dhe amfiteatrin e institucionit.
Autoritetet kanë alarmuar edhe për rritjen e nivelit të lumit Serava në Butel dhe rrezikun e derdhjes së kanalit në Gorno Lisiçe, gjë që mund të shkaktojë përmbytje shtesë të shtëpive dhe oborreve.
Përveç Shkupit, dëme nga reshjet janë raportuar edhe në Kumanovë, ku janë përmbytur bodrume, objekte banimi dhe biznese në disa pjesë të qytetit.
Në rajonin e Pollogut, situata më problematike u regjistrua në fshatin Nerasht të Komunës së Tearcës. Për shkak të reshjeve intensive dhe kapacitetit të pamjaftueshëm të kanalizimit, një pjesë e fshatit u përmbyt, duke shkaktuar dëme materiale në shtëpi dhe hapësira ndihmëse.
Ndërkohë, në Strumicë, Radovish, Veles, Kavadar dhe Sveti Nikollë janë raportuar pemë të rrëzuara, shtylla elektrike të dëmtuara dhe bllokime të përkohshme të rrugëve.
Shërbimet e emergjencës dhe ekipet komunale vazhdojnë ndërhyrjet në terren, ndërsa autoritetet po ndjekin situatën për shkak të mundësisë së reshjeve të reja dhe rritjes së nivelit të ujërave.