Shirat e rrëmbyeshëm paralizojnë Shkupin, dhjetëra përmbytje dhe automjete të bllokuara nëpër rrugë
Reshjet e dendura të shiut që përfshinë pasditen e së mërkurës Shkupin shkaktuan përmbytje në disa pjesë të qytetit, duke vështirësuar seriozisht qarkullimin dhe duke shkaktuar dëme në objekte banimi dhe afariste.
Sipas informacioneve të pranuara përmes numrit emergjent 112, disa nënkalime u përmbytën plotësisht, ndërsa automjete mbetën të bllokuara në nënkalimin para rrethrrotullimit në Butel dhe në bulevardin “Srbija” në Kisella Vodë.
Probleme të mëdha u regjistruan edhe në disa rrethrrotullime të qytetit, përfshirë ato pranë East Gate Mall, Moto Qendrës, Cementarës dhe Hekuranës, ku niveli i ujit pengoi lëvizjen normale të automjeteve.
Mes zonave më të prekura është edhe rruga “Jordan Mijallkov”, pas Diamond Mall, e cila u përmbyt në tërësi. Përmbytje u raportuan gjithashtu në shtëpi, bodrume dhe garazhe në lagjet Kisella Vodë, Autokomandë dhe Çair.
Ndër rastet më serioze janë edhe përmbytja e magazinës së marketit Vero në Çair, si dhe e një depoje të një kompanie private në Kisella Vodë.
Nën ujë mbetën edhe parkingje dhe rrugë të brendshme në lagjet Rasadnik dhe Aerodrom.
Për shkak të rrugëve të përmbytura, rrethrrotullimeve dhe nënkalimeve të bllokuara, trafiku në disa pjesë të Shkupit është ngadalësuar ndjeshëm, ndërsa në disa akse qarkullimi është ndërprerë plotësisht.