ASH: Komuna e Çairit po merr kredi prej 2 milionë eurosh, kjo tregon krizën financiare
Aleanca për Shqiptarët, përmes një konference për media të mbajtur para Komunës së Çairit, ka shprehur shqetësim lidhur me vendimin e Këshillit Komunal për të nisur procedurën për marrjen e një kredie afatgjatë në vlerë prej 120 milionë denarësh, ose rreth 2 milionë euro.
Sipas përfaqësuesve të partisë, dokumentet e prezantuara tregojnë se mjetet nuk janë të destinuara për realizimin e projekteve të reja, ndërtimin e parqeve apo zhvillimin e infrastrukturës, por për mbulimin e detyrimeve ekzistuese financiare.
“Ajo që qytetarëve të Çairit iu premtua para gjashtë muajsh si zhvillim, sot po zëvendësohet me një borxh të ri për të shlyer borxhet e vjetra. Ky është një tregues i qartë i keqmenaxhimit të Komunës së Çairit dhe një pranim publik se komuna ndodhet në krizë financiare”, deklaruan nga Aleanca për Shqiptarët.
Partia vlerëson se marrja e kësaj kredie ngre pikëpyetje serioze mbi menaxhimin financiar të komunës dhe kërkon transparencë të plotë për mënyrën se si do të përdoren fondet dhe për gjendjen reale të financave komunale.