Hije mbi rastin “Soravia”: Pas më shumë se dy vitesh hetim, Prokuroria pa përgjigje konkrete mbi “progresin”
Më shumë se një vit pasi Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut njoftoi se po mblidhte dokumentacion shtesë dhe se priste informacione përmes ndihmës juridike ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rasti “Soravia” vazhdon të mbetet në fazën parahetimore, pa asnjë informacion konkret për progresin e procedurës, shkruan Portalb.mk.
Në përgjigje të pyetjeve të Portalb.mk për statusin aktual të rastit, Prokuroria nuk dha detaje të reja, duke përsëritur pothuajse të njëjtin qëndrim si në të kaluarën.
“Rasti që ju intereson është në procedurë paraprake hetimore dhe po trajtohet nga prokurori publik kompetent. Duke qenë se procedura paraprake hetimore është konfidenciale, nuk mund të ndahen informacione të mëtejshme në këtë moment”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Kjo përgjigje vjen pasi redaksia jonë kërkoi sqarime nëse është përfunduar analiza e dokumentacionit të mbledhur, çfarë ka ndodhur me kërkesën për ndihmë juridike ndërkombëtare drejtuar SHBA-së dhe nëse gjatë periudhës së fundit janë ndërmarrë veprime të reja nga institucionet kompetente.
Megjithatë, asnjë nga këto pyetje nuk mori përgjigje konkrete.
Zvarritja e rastit vjen në një periudhë kur koalicioni qeverisës VLEN vazhdimisht e përmend dhe akuzon BDI-në për këtë rast, madje, ka premtuar në vazhdimësi luftë më të ashpër kundër korrupsionit dhe zbardhjen e rasteve të profilit të lartë që për vite kanë dominuar debatin publik. Megjithatë, pavarësisht ndryshimeve politike dhe premtimeve për reforma në sistemin e drejtësisë, një nga rastet më të përfolura që lidhet me Drin Ahmetin vazhdon të mbetet në fazën parahetimore, pa informacione konkrete për epilogun e tij.
Në shkurt të vitit 2025, Prokuroria deklaroi se institucionet vepronin në mënyrë aktive, se po mblidheshin dokumente shtesë dhe se vendimi për hapat e ardhshëm varej edhe nga informacionet që priteshin nga autoritetet amerikane. Në atë kohë, institucioni theksonte se procedurat e ndihmës juridike ndërkombëtare kërkojnë kohë më të gjatë për t’u realizuar.