Kryeministri Mickoski në vizitë pune në Stamboll të Turqisë
Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, do të qëndrojë për vizitë pune në Stamboll të Turqisë, ku do të marrë pjesë në një Forum Biznesi kushtuar bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve.
Pjesë e delegacionit qeveritar do të jenë edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, zëvendëskryeministri dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, si dhe drejtori i Zonave Zhvillimore Teknologjike-Industriale, Goce Dimovski.
Në forum do të marrin pjesë përfaqësues të lartë qeveritarë, afaristë dhe investitorë nga të dy vendet, ndërsa fokusi do të jetë në thellimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e shkëmbimit tregtar, tërheqjen e investimeve të reja, avancimin e lidhjeve infrastrukturore, bashkëpunimin energjetik dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta me rëndësi strategjike.
Në kuadër të programit janë paraparë panele tematike kushtuar tregtisë, industrisë, prodhimit dhe zinxhirëve të furnizimit, si dhe infrastrukturës, logjistikës dhe investimeve, në të cilat do të marrin pjesë anëtarët e delegacionit qeveritar të Maqedonisë.
Është paraparë që kryeministri Mickoski para të pranishmëve të mbajë fjalim në ceremoninë përmbyllëse të Forumit të Biznesit, e cila do të fillojë sot në mesditë. Vizita do të shfrytëzohet edhe për takime politike me rëndësi për të dy shtetet.