117.8 milionë njerëz në botë të zhvendosur me forcë
UNHCR, Agjencia e OKB-së për Refugjatët, ka publikuar raportin e saj kryesor “Global Trends”, i cili tregon se zhvendosja e detyruar globale ka rënë për herë të parë në një dekadë, por mbetet në nivele të papranueshme. Në fund të vitit 2025, 117.8 milionë njerëz ishin të zhvendosur me forcë në mbarë botën, me mbi 5 milionë që u detyruan të largohen dhe të kërkojnë siguri në vende të tjera.
Shtatë në dhjetë refugjatë mbeten në zhvendosje afatgjatë, ndërsa 68% e tyre strehohen në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Krahasuar me vitin e kaluar, numri i refugjatëve që kanë mbërritur përmes sistemit të risistemimit ose sponsorizimit ka rënë më shumë se përgjysmë, në 81,800, pavarësisht nevojave të mëdha.
Ulja globale (5.4 milionë persona, ose 4% më pak se në fund të vitit 2024) është nxitur kryesisht nga kthimet. Në vitin 2025, 14.7 milionë persona të zhvendosur, përfshirë gati 4.4 milionë refugjatë,janë kthyer në zonat ose vendet e tyre të origjinës, me një rritje të ndjeshme në Afganistan, Sudan dhe Siri. Megjithatë, shumë nga këto kthime janë bërë nën presion ose në kushte shumë të brishta, duke theksuar nevojën për mbrojtje të vazhdueshme, mbështetje për riintegrim dhe investime në kushte që sigurojnë kthime të sigurta, vullnetare dhe me dinjitet.
Me 70 përqind të refugjatëve të bllokuar në mërgim për vite me radhë dhe shumë prej tyre që jetojnë nën kufirin e varfërisë, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Barham Salih, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbështesë një iniciativë të re për të nxjerrë miliona njerëz nga zhvendosja afatgjatë dhe varësia nga ndihma humanitare.
“Për shumë refugjatë, zhvendosja fillon si një shpëtim, por zgjat gjithë jetën,” tha Salih. “Ndihma humanitare shpëton jetë, por nuk është zgjidhja përfundimtare dhe nuk u mundëson refugjatëve të bëhen aktorë aktivë në kontroll të së ardhmes së tyre. Na duhet një ndryshim paradigme që krijon shpresë dhe mundësi të reja për njerëzit që ikin nga lufta dhe persekutimi.”
Komisioneri i Lartë i UNHCR-së ka paraqitur gjithashtu një objektiv të matshëm për të ulur me më shumë se gjysmën, gjatë dekadës së ardhshme,numrin e refugjatëve në zhvendosje afatgjatë që varen nga ndihma humanitare, duke i ndihmuar ata të rindërtojnë jetën e tyre me dinjitet, të drejta dhe mundësi. /Portalb