VLEN: Zyrtarizimi i gjuhës serbe në Kumanovë u bë me votat e BDI-së
Partia VLEN akuzoi sot Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) për hipokrizi politike, duke pretenduar se pikërisht kjo parti ka mbështetur zyrtarizimin e gjuhës serbe në Komunën e Kumanovës gjatë kohës kur ishte në pushtet.
Në një konferencë për media, përfaqësuesi i VLEN-it, Granit Osmani, deklaroi se më 4 maj të vitit 2010, në kohën kur BDI ishte pjesë e qeverisjes, gjuha serbe u fut në përdorim zyrtar në Komunën e Kumanovës, ndonëse sipas tij, serbët përbëjnë rreth 6.5 për qind të popullsisë së komunës.
“Pikërisht kjo parti, që sot nga opozita e ka gojën plot shqiptari, në kulmin e pushtetit të saj bëri që gjuha serbe të futet në përdorim zyrtar në Kumanovë. E zeza mbi të bardhë. Kjo është fytyra e vërtetë e BDI-së”, deklaroi Osmani, duke prezantuar një dokument që sipas tij dëshmon vendimin e atëhershëm.
VLEN vlerëson se BDI ka treguar më shumë vullnet për çështje të tilla sesa për zgjidhjen e problemeve që, sipas tyre, kanë prekur shqiptarët ndër vite.
Nga partia shqiptare në pushtet ngritën edhe pyetje lidhur me, siç thanë, mungesën e angazhimit të BDI-së për çështje si provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në institucione.
“Për më shumë se 20 vite rresht, shumë çështje të shqiptarëve i lanë përgjysmë. VLEN nuk është kundër zyrtarizimit të asnjë gjuhe, por është kundër hipokrizisë politike”, tha Osmani.
Sipas VLEN-it, dallimi mes tyre dhe BDI-së është se “BDI flet për shqiptarët kur është në opozitë, ndërsa VLEN punon për shqiptarët kur është në përgjegjësi”.