Kasami: 100 euro për çdo nxënës që regjistrohet në klasën e parë në Tetovë
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, njoftoi se Këshilli Komunal ka miratuar vendimin për subvencionimin e të gjithë nxënësve që do të regjistrohen në klasën e parë në shkollat fillore të komunës.
Sipas Kasamit, çdo nxënës i regjistruar deri më 20 qershor do të përfitojë një vauçer në vlerë prej 100 eurosh, ndërsa shpërndarja e vauçerëve do të bëhet në fillim të muajit korrik.
“Kjo masë synon të ndihmojë familjet në përballimin e shpenzimeve për fillimin e vitit shkollor, por edhe të inkurajojë regjistrimin e fëmijëve në institucionet tona arsimore”, deklaroi Kasami.
Ai theksoi se investimi në arsim mbetet një nga prioritetet kryesore të komunës, duke kujtuar investimet në ndërtimin e shkollave të reja, përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese dhe modernizimin e kushteve për mësim.
Sipas tij, përveç projekteve infrastrukturore, komuna po ndërmerr edhe masa sociale për ta bërë arsimin më të qasshëm për çdo fëmijë dhe çdo familje në Tetovë.
“Është detyrë e jona të investojmë në të ardhmen tonë, në suksesin dhe dijen e brezave të rinj”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Tetovës.