“Shkëndija” ultimatum Federatës së Futbollit, paralajmëron largim nga futbolli i Maqedonisë së Veriut
Klubi Futbollistik “Shkëndija” ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë për ta dënuar me 105 mijë euro, duke e cilësuar atë si skandaloz dhe të dëmshëm për klubin tetovar. Përmes një komunikate zyrtare, sponsori kryesor i klubit ka paralajmëruar se do të shqyrtojë seriozisht tërheqjen nga futbolli i Maqedonisë së Veriut nëse vendimi nuk rishikohet urgjentisht.
Nga KF Shkëndija thonë se klubi ndër vite ka qenë shembull i korrektësisë dhe profesionalizmit, duke respektuar të gjitha obligimet sportive dhe financiare, ndërsa kanë rikujtuar edhe kontributin e madh në arenën ndërkombëtare.
“Shkëndija është klubi që me paraqitjet dinjitoze në Evropë ngriti koeficientin e ligës, nga i cili përfitojnë të gjitha klubet vendore dhe falë të cilit, nga viti i ardhshëm, futbolli ynë do të ketë një vend shtesë në kupat evropiane”, thuhet në reagimin e klubit.
Sipas sponsorit të klubit, vendimet e marra “në tavolinë” po dëmtojnë projekte serioze dhe po cenojnë investimet shumëvjeçare të bëra në futbollin vendor.
“Kjo qasje na shtyn të shqyrtojmë edhe opsionin e tërheqjes nga klubi/futbolli në Maqedoni të Veriut. Nëse Federata e Futbollit të Maqedonisë nuk e tërheq këtë vendim, atëherë ne si sponsor do ta shqyrtojmë seriozisht vazhdimin e mëtutjeshëm, pasi që ky vendim i cenon të drejtat dhe politikat e klubit”, thuhet më tej në komunikatë.
Në fund, nga “Shkëndija” u bëjnë thirrje organeve të FFM-së që të reflektojnë dhe të rishikojnë vendimin, me qëllim që, siç thonë, të mbrohet drejtësia sportive dhe e ardhmja e futbollit në vend./VOXAL/