Shkupi për herë të parë nikoqir i Panairit të Librit Shqip, organizatorët premtojnë ta bëjnë traditë
Shkupi për herë të parë po mirëpret Panairin e Librit Shqip, një ngjarje kulturore që ka mbledhur në sheshin “Skënderbeu” dhjetëra shtëpi botuese dhe mijëra tituj në gjuhën shqipe nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe rajoni.
Që në ditën e parë, panairi tërhoqi interesimin e qytetarëve të moshave të ndryshme. Mes vizitorëve ishte edhe 11-vjeçari Anuar, nxënës i klasës së gjashtë, i cili kishte ardhur i vetëm për të gjetur libra historie.
“Patjetër duhet të kemi panaire të tilla sepse të shton më shumë dituri dhe jep motiv për nxënësit”, tha ai, duke treguar se librat për studimet osmane ishin ndër titujt që i kishin tërhequr më shumë vëmendjen.
Interesim shfaqën edhe studentët, të cilët e vlerësuan panairin si një ngjarje të rëndësishme për promovimin e kulturës dhe leximit në gjuhën shqipe në kryeqytet.
“Besoj që është një vlerë kulturore që duhet të jetë edhe në Shkup. Do t’i japë rëndësi qytetit dhe duhet të vazhdojë përderisa ne shqiptarët i ruajmë vlerat tona dhe kulturën”, tha një student.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë personalitete të jetës kulturore dhe akademike. Shkrimtari Namik Dokle e cilësoi panairin si një ngjarje me rëndësi kombëtare.
“Hapja e këtij panairi sot në sheshin Skënderbeu është një event i jashtëzakonshëm që nuk ka vlerë vetëm për librin, shkrimtarët dhe lexuesit, por ka vlerë kombëtare”, deklaroi Dokle.
Profesori Ali Aliu tha se panairet e librit konsiderohen ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore në botë dhe shprehu shpresën që kjo nismë të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ndërkaq, organizatorët paralajmëruan se synimi i tyre është që Panairi i Librit Shqip të bëhet tradicional. Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, theksoi se libri mbetet një nga shtyllat kryesore të identitetit dhe zhvillimit të një shoqërie.
“Në secilën prej këtyre veprave gjendet një pjesë e shpirtit të kombit tonë. Libri është kujtesë, por edhe vizion. Ai na mëson se popujt ecin përpara vetëm kur lexojnë, pyesin, mendojnë dhe krijojnë”, tha Mexhiti.
Panairi do të jetë i hapur për vizitorët gjatë ditëve në vijim, duke ofruar mijëra tituj dhe aktivitete të ndryshme kulturore për adhuruesit e librit/VOXAL/