Toshkovski paralajmëron masa të ashpra për trotinetët elektrikë: “Safe City” do të gjobisë edhe automjetet me targa të huaja
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka paralajmëruar reforma dhe kontrolle më të rrepta në komunikacion, me fokus te sistemi i kamerave “Safe City”, siguria e motoçiklistëve dhe përdorimi i trotinetëve elektrikë.
Në një intervistë për televizionin telma.com.mk, Toshkovski deklaroi se sistemi tashmë regjistron edhe targat e huaja dhe se shkeljet e evidentuara do të sanksionohen.
“Po, kamerat i regjistrojnë targat e huaja. Po, ato do të jenë subjekt i gjobave. Sistemi është në fazë përmirësimi dhe qytetarët shumë shpejt do të shohin se si do të procedohen këto kundërvajtje”, tha ministri.
Ai bëri të ditur se rezultatet e para konkrete priten brenda rreth një muaji.
Duke folur për sigurinë në komunikacion, Toshkovski ndau statistika shqetësuese nga muaji i kaluar.
Nga 12 viktima në aksidente trafiku, pesë kanë qenë motoçiklistë, ndërsa për tre prej tyre ministri tha se me siguri nuk kanë mbajtur helmetë mbrojtëse.
Po ashtu, ai paralajmëroi se institucionet po shqyrtojnë zgjidhje më radikale për rregullimin e përdorimit të trotinetëve elektrikë, të cilët po paraqesin gjithnjë e më shumë sfida për sigurinë në rrugë.