Konfiskimi Civil në Maqedoninë e Veriut: Ambicie të mëdha, rezultate të dobëta
Dy vjet pas prezantimit të konfiskimit civil për herë të parë në sistemin ligjor në Maqedoni shteti ka rezultate fillestare, modeste: deri më tani është ngritur një padi në gjykatën civile, në një rast është ngrirë pasuria, ndërsa në një tjetër pritet të mbahet seanca gjyqësore. Javën që shkoi pushteti njoftoi se po përgatit një ligj të ri për konfiskimin e pasurive në procedurë civile, raporton Prizma.mk, transmeton Portalb.mk.
Bëhet fjalë për një ligj me të cilin për herë të parë në vitin 2024 u prezantua ky lloj i konfiskimit, i cili i lejon shtetit të ngrijë dhe sekuestrojë pasuri të dyshimta edhe kur nuk ka aktgjykim nga gjykata.
Në këtë procedurë konfiskimi civil në vend të prokurorit, siç është në procedurat penale, është qytetari ai që duhet të dëshmojë para gjykatës se pasuria që ai e ka fituar është siguruar me të ardhura të ligjshme.
Kjo procedurë zbatohet kur prokurori dyshon se dikush zotëron pasuri që i tejkalon ndjeshëm të ardhurat e tij, por nuk mund ta ndjekë penalisht për shkak të pengesave ligjore, siç është vjetërsimi i veprave penale ose një aktgjykim refuzues.
Organizatat e shoqërisë civile u tërhoqën nga grupi punues për ligjin e parë të vitit 2024, sepse në vend të një ligji për prejardhjen e pasurisë u hartua një Ligj për Konfiskimin e Pasurisë në Procedurë Civile, ndërsa parashikuan edhe se do të kishte probleme në zbatimin e tij, gjë që edhe ndodhi.
Arsyeja se pse Ministria e Drejtësisë njoftoi një ligj krejtësisht të ri është se zbatimi i atij ekzistues “ngriti disa çështje ligjore”, ndërsa institucionet kanë kërkuar “precizim dhe plotësim më të mirë të dispozitave ligjore”.
Pasuri të dyshimta me vlerë mbi 600.000 euro
Një padi dhe dy kërkesa për masa të përkohshme drejtuar gjykatës civile për t’i siguruar pasuritë. Ky është epilogu i deritanishëm i zbatimit të Ligjit për Konfiskimin Civil. Policia financiare konfirmoi për BIRN se ka punuar në 13 raportime nga dy prokurori. Me ato kanë kontrolluar dhe analizuar financat e 19 personave.
Ky institucion përcakton se çfarë vlere kanë pasur pasuritë kur janë fituar, e shqyrton bazën për fitimin e pasurive dhe burimet e të ardhurave.
“Gjatë procedimit dhe verifikimit janë përfshirë edhe një numër i madh i anëtarëve të familjes së ngushtë dhe më të gjerë të personave që i nënshtrohen kontrollit, si dhe disa persona juridikë”, thanë nga Policia Financiare për BIRN.
Padia e parë nga Avokatura Shtetërore, e cila pastaj e inicioi procedurën gjyqësore, në gjykatën civile arriti dhjetorin e vitit të kaluar. “Lënda është në fazën e caktimit të një seance gjyqësore”, thanë nga gjykata.
Derisa të fillojë gjykimi gjykata e ka pranuar kërkesën e Avokaturës Shtetërore për ta ngrirë përkohësisht pasurinë “e kontestuar” për të cilën prokuroria po zhvillon procedurë. Në këtë rast bëhet fjalë për L. A. A. dhe për katër anëtarë të tjerë të familjes, të cilët kanë qenë nën mbikëqyrjen e policisë financiare.
Çështja u iniciua nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila mori informacion nga Njësia e Inteligjencës Financiare për dyshime për pastrim parash, për çka kishte hetim që përfundoi pa u ngritur akuzë. Pas kësaj Policia financiare kreu kontrolle nga viti 2012 deri në vitin 2022, përgatiti një raport në të cilin shkruhej se kishin konstatuar “të ardhura të padeklaruara nga burime të panjohura në shumën prej 619.116 eurosh”.
Ky raport është dërguar pranë Avokaturës Shtetërore, e cila ka kërkuar nga gjykata me masa të përkohshme ta ndalojë shfrytëzimin e pasurisë së kontestueshme.
Në fillim Gjykata Civile, ndërsa në muajin shkurt të këtij viti edhe Gjykata e Apelit e ka konfirmuar ndalesën për përdorimin e apartamenteve, automjeteve, si dhe i ka ndaluar pagesat nga katër banka në vend.
Avokati i L. A. A. pretendonte se nuk bëhej fjalë për pasuri të fituar në mënyrë të paligjshme, por pasuri e fituar nga prindërit nga shitja e automjeteve të përdorura nga viti 2002. Nga një depozitë e afatizuar në valutë të huaj në banka personi në fjalë ka marrë interesa në vlerë prej 10 mijë eurosh në vit. Sipas argumenteve të avokatit që para vitit 2012 ky person ka pasur 450 mijë euro, ndërsa nga interesat për 10 vjet ka mbledhur 100 mijë euro.
Gjykatësit kanë shkruar se në këtë fazë të procedurës “nuk konstatohet përfundimisht nëse pasuria është fituar në mënyrë të paligjshme, por nëse ka indikacione të mjaftueshme që e bëjnë të mundshme bazën e kërkesës së ardhshme për konfiskim”.
Avokatura Shtetërore brenda 15 ditëve nga miratimi i kësaj mase të përkohshme duhet të ngrejë një padi me të cilën do të kërkohet të vërtetohet se pasuria nuk është fituar nga të ardhura të ligjshme. Nëse vërtetohet një gjë e tillë, atëherë pasuria duhet të konfiskohet dhe t’i transferohet shtetit. Procedura gjyqësore në shkallë të parë duhet të zgjasë maksimum një vit.
Prag më i lartë i pasurisë që do të kontrollohet
Snezhana Kamillovska-Trpovska nga Qendra e Maqedonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MCMS), e cila ishte pjesë e grupit punues për ligjin e ri, thotë se arsyet për miratimin e tij janë problemet që u shfaqën në zbatimin e tij e që u zbuluan menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit aktual.
“Paqartësitë në mënyrën e udhëheqjes së procedurës, si dhe roli i policisë financiare kanë krijuar një gjendje në të cilën është pothuajse e pamundur të zbatohet ligji”.
Kamillovska-Trpovska thotë se me ndryshimet e propozuara të publikuara në Regjistrin e Vetëm Kombëtar të Rregulloreve (ENER) iniciativë për kontrollim të pasurisë së dyshimtë kishte çdo qytetar, ndërsa në ligjin e ri të propozuar, procedura mund të iniciohet nga Prokuroria.
Krahas kësaj, me ligjin e propozuar prezantohet një detyrim për prokurorinë që të paraqesë një vendim të arsyetuar për arsyet e mosiniciimit të procedurës penale kundër personit, por inicion procedurë për konfiskimin e pasurisë në një procedurë civile, thotë Kamillovska.
Në ndryshimet e propozuara vlera e pasurisë së dyshimtë duhet të jetë më e madhe se 100 mijë euro. Për momentin ky prag është 13 mijë euro, që është një shumë prej rreth 20 pagave mesatare.
Nga ana tjetër shkurtohet periudha në të cilën kontrollohet pasuria e tillë. Përderisa ligji aktual parashikon 10 vjet, me ndryshimet kjo periudhë është 5 vjet.
Me ndryshimet e propozuara policia financiare do të ketë më shumë kohë për inspektim, nga maksimum 90 ditë në një vit e gjysmë.
Ndryshimet parashikojnë edhe një pengesë ligjore për trashëgimin e pasurisë që është fituar në mënyrë të paligjshme, ndërsa bankat dhe organet e tjera shtetërore janë të detyruara që në çdo kohë t’i japin të dhënat e kërkuara. Ndër ndryshimet e tjera përcaktohet mundësia që me procedurën të përfshihen edhe personat e tretë të cilëve u është transferuar ose kanë shfrytëzuar pasurinë pa kompensim monetar.
Edhe në ligjin e ri procedura iniciohet nga prokurori publik. Kur vlerëson se ka baza për dyshim se është kryer një vepër penale e bashkimit kriminal, një vepër për të cilën mund të shqiptohet dënim me burg prej katër vjetësh ose një dënim më i rëndë, ose një vepër me të cilën mund të fitohet një përfitim më i madh pasuror, por nuk mund ta ndjekë penalisht sepse vepra është vjetërsuar, gjykata e rrëzon aktakuzën dhe brenda tetë ditëve dorëzon një iniciativë të arsyetuar pranë Policisë Financiare.
Policia Financiare kryen kontroll, harton një raport dhe e njofton prokurorin publik. Nëse ka bazë për procedurë prokurori e njofton Avokaturën Shtetërore, e cila duhet të ngrejë padi në gjykatë, ndërsa ka edhe mundësi që të kërkojë sigurim të përkohshëm të pasurisë.
Procedura civile për konfiskimin e pasurisë për të cilën nuk mund të dëshmohet se është nga fituar nga burime të ligjshme para gjykatës së shkallës së parë duhet të përfundojë brenda maksimum një viti pas ngritjes së padisë, ndërsa në ligjin e vjetër kjo periudhë ishte nëntë muaj.
Përndryshe, kryeministri Mickoski gjatë një seance konstituive të Këshillit Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pronës në shkurt, tha se nuk duhet të ketë drejtësi selektive dhe që pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme duhet t’i kthehen popullit përmes konfiskimit, një qëndrim që ai e paraqet si politikë shtetërore të Qeverisë. Por kjo nuk është një politikë e re në letër. Ekzistojnë ligje dhe iniciativa tashmë të miratuara për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, siç është së fundmi Ligji për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile.
Raporti i Komisionit Evropian dhe ekspertë vendas konstatojnë se, edhe pse ka legjislacion që lejon konfiskimin, ai përdoret shumë pak praktikisht dhe proceset janë të ngadalta dhe joefikase. Implementimi në praktikë, duke përfshirë hetimet financiare, ngritjen e aktakuzave dhe konfiskimin e pronave, mbetet i dobët.
Përgjegjësitë ligjore janë ekzistuese, por shpesh procedurat janë të zvarritura, dhe gjykatat kthyen raste ose i vonojnë, duke rezultuar në raste që skadojnë me kalimin e kohës.
Studimet dhe aktivitë civilë të të drejtave thonë se ka probleme serioze me kapacitetet institucionale, koordinimin midis institucioneve dhe mungesën e personelit të trajnuar për hetime financiare dhe konfiskim.