Pakistani “zbut” Iranin, pritet raund i ri bisedimesh në Teheran për negociata me Uashingtonin
Mediat shtetërore iraniane raportuan se Munir zhvilloi takime të ndara me presidentin iranian, Masoud Pezeshkian, dhe kryetarin e Parlamentit, Mohammad Bagher Qalibaf, pas bisedimeve të mëhershme me ministrin e Jashtëm, Abbas Araqchi, të cilat vazhduan deri vonë natën e 22 majit.
Sipas raportimeve, diskutimet u përqendruan në propozimet diplomatike dhe mesazhet e shkëmbyera mes Teheranit dhe Uashingtonit, përfshirë një dokument me 14 pika, të cilin Irani e konsideron thelbësor për negociatat e ardhshme. “Historia dhe përvoja e negociatave me amerikanët na detyrojmë që të tregojmë kujdesin maksimal”, i tha Pezeshkian Munirit gjatë takimit, sipas mediave shtetërore iraniane.
Qalibaf, i cili është shfaqur si një nga negociatorët kryesorë të Teheranit që nga fillimi i sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt, tha se Irani nuk do të bëjë kompromis për “të drejtat e tij” dhe akuzoi Uashingtonin se nuk po negocion në mirëbesim.
“Ne nuk do të heqim dorë nga të drejtat e kombit dhe vendit tonë”, tha Qalibaf, sipas televizionit shtetëror iranian, duke paralajmëruar se nëse Shtetet e Bashkuara “në mënyrë të pamatur e rinisin luftën”, pasojat do të jenë “më të fuqishme dhe më të hidhura” sesa në fazat e mëhershme të konfliktit.
Përpjekja diplomatike vjen pas javësh me sinjale të ndryshme nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka kërcënuar vazhdimisht me veprime ushtarake kundër Iranit, por njëkohësisht është tërhequr nga rinisja e sulmeve për t’i lënë hapësirë vazhdimit të bisedimeve.
Përpjekja e re ndërmjetësuese vjen mes raportimeve se Irani dhe Shtetet e Bashkuara po shkëmbejnë mesazhe dhe propozime përmes ndërmjetësve, në përpjekje për të krijuar një kornizë formale për negociatat e ardhshme. Bisedimet janë indirekte, ndërsa Pakistani, Katari dhe Omani janë ndër vendet që po lehtësojnë komunikimin mes dy palëve.