Drogë e fshehur në vezë, 25-vjeçarja tentoi të fusë kokainë dhe marihuanë në burgun e Idrizovës
Një rast i pazakontë është zbuluar në burgun e Idrizovës në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku një grua 25-vjeçare dyshohet se ka tentuar të fusë drogë të fshehur brenda vezëve gjatë një vizite tek bashkëshorti i saj i burgosur.
Sipas Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, gruaja kishte arritur në burg më 20 maj me dy pako ku në shikim të parë ndodheshin 60 vezë. Megjithatë, kontrolli i detajuar me skaner dhe verifikimi manual zbuluan se në 28 prej vezëve ishin fshehur pako me narkotikë.
Autoritetet bëjnë të ditur se janë sekuestruar gjithsej 318.62 gramë marihuanë dhe 142.2 gramë kokainë.
Prokuroria ka nisur procedurë hetimore ndaj të dyshuarës për veprën penale “prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve”, ndërsa rasti po hetohet për të zbuluar nëse bëhet fjalë për rrjet më të gjerë të furnizimit me drogë brenda burgjeve.
Nga Prokuroria thanë se, pavarësisht seriozitetit të veprës, është kërkuar masë arresti shtëpiak për shkak të gjendjes familjare të gruas.
“Duke pasur parasysh se e dyshuara është nënë e fëmijëve të mitur, njëri prej të cilëve foshnjë pesëmuajshe, është propozuar masa e arrestit shtëpiak”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shkupit.
Rasti ka shkaktuar reagime në opinion për shkak të metodës së pazakontë të fshehjes së drogës, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar destinimin dhe personat e përfshirë në këtë tentativë kontrabande brenda burgut më të madh në Maqedoninë e Veriut.