Komisioni për Sëmundje Infektive: Rreziku nga hantavirusi në RMV i ulët
Komisioni për Sëmundje Infektive, i formuar nga Ministria e Shëndetësisë, ka mbajtur mbledhje për të shqyrtuar situatën lidhur me paraqitjen e një klasteri me hantavirus – varianti Andes në nivel global. Nga Komisioni vlerësojnë se në Maqedoninë e Veriut rreziku për paraqitjen dhe përhapjen e virusit mbetet i ulët, ndërsa sistemi shëndetësor është i përgatitur për t’u përballur me raste eventuale të infeksionit.
Sipas autoriteteve shëndetësore, Instituti i Shëndetit Publik posedon reagentë për vërtetimin laboratorik të virusit, si dhe procedura standarde operative për diagnostikimin e tij.
Nga ana tjetër, Klinika Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile disponon kapacitete të përshtatshme për trajtimin e pacientëve të mundshëm me simptoma karakteristike të infeksionit me hantavirus – varianti Andes, përfshirë kushte për kujdes intensiv, ventilim mekanik dhe mbështetje respiratore.
Komisioni theksoi se varianti Andes dallon nga variantet e tjera të hantavirusit për shkak të mundësisë së transmetimit nga njeriu te njeriu gjatë kontaktit të afërt dhe të zgjatur. Megjithatë, u nënvizua se transmetimi nuk është i shpejtë dhe i lehtë si në rastin e infeksioneve me koronavirus.
Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se situata po monitorohet vazhdimisht në nivel global, ndërsa qytetarëve u rekomandohet të ndjekin udhëzimet dhe informacionet zyrtare të institucioneve kompetente.