Keir Starmer nën presion për të dhënë dorëheqjen! Kush po e synon pozicionin e kryeministrit britanik?
Kriza politike është thelluar pas largimit ose rebelimit të gjashtë ndihmësministrave, të cilët ose dhanë dorëheqjen, ose kërkuan publikisht që Starmer të vendosë një afat për largimin nga posti.
Ndërkohë, numri i deputetëve laburistë që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit ose një kalendar për largimin e tij ka arritur në 72.
Mes zërave kritikë është edhe Joe Morris, sekretar parlamentar pranë ministrit të Shëndetësisë Wes Streeting, i cili konsiderohet një nga kandidatët potencialë për të marrë drejtimin e partisë. Morris deklaroi se Starmer “nuk gëzon më besimin e publikut”.
Pavarësisht presionit në rritje, Starmer ka refuzuar të japë dorëheqjen. Në një fjalim të mbajtur së fundmi, ai pranoi se qeveria ka bërë gabime, por këmbënguli se “vendimet e mëdha politike kanë qenë të drejta”.
“Dorëheqja ime do ta zhyste vendin në kaos, ashtu siç kanë bërë konservatorët në mënyrë të përsëritur”, deklaroi ai.
Presioni ndaj tij u shtua ndjeshëm pas rezultateve të dobëta të zgjedhjeve lokale, ku laburistët humbën rreth 1.500 këshilltarë në të gjithë Anglinë. Partia Reform UK ka shënuar rritje të mbështetjes, ndërsa të Gjelbrit kanë fituar terren në Londër dhe në zona të tjera urbane.
Laburistët pësuan humbje edhe në Uells, ku kishin dominuar politikisht për një shekull, ndërsa në parlamentin skocez siguruan vetëm 17 nga 129 vende.
Një tjetër figurë e rëndësishme e laburistëve, Angela Rayner, deklaroi se partia “duhet të bëjë më mirë”, duke shtuar se qytetarët do ta gjykojnë qeverinë “nga veprimet dhe jo vetëm nga fjalët”.
Në prapaskenë, emra si kryebashkiaku i Mançesterit, Andy Burnham, dhe ministri Wes Streeting po përmenden gjithnjë e më shpesh si pasardhës të mundshëm të Starmer në krye të Partisë Laburiste.