Bilall Kasami: VLEN do të jetë i vendosur nëse preket gjuha shqipe dhe MO
Lideri i VLEN-it, Bilall Kasami, deklaroi se subjekti i ri politik do të mbrojë pa kompromis të drejtat shqiptare, duke paralajmëruar se VLEN do të reagojë sa herë që preket gjuha shqipe, Marrëveshja e Ohrit dhe përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në institucione.
Në kongresin themelues të VLEN-it në Shkup, Kasami tha se bashkimi i pesë subjekteve politike shënon fillimin e një faze të re politike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
“Një parti që mbron të drejtat shqiptare pa komplekse, por njëkohësisht flet seriozisht për zhvillim, shtet funksional dhe të ardhme. Jemi këtu që të tregojmë se do të jemi konstruktiv kur shteti ecën përpara, por do të jemi të vendosur kur të preket gjuha shqipe, Marrëveshja e Ohrit, përfaqësimi i drejtë dhe dinjiteti i institucioneve shqiptare.”, deklaroi Bilall Kasami, lider i VLEN-it.
Kasami tha se VLEN nuk duhet të mbetet vetëm bashkim partish, por të shndërrohet në kulturë të re politike tek shqiptarët, më serioze, më institucionale dhe më afër qytetarëve.
Sipas tij, shqiptarët kanë nevojë për më shumë bashkim politik dhe më shumë përgjegjësi në përfaqësim, ndërsa projekti i ri politik synon të rikthejë besimin e qytetarëve në politikë.
“Sot nuk po mbyllet një histori e pesë partive, por hapet një fazë e re e saj. Dhe rruga që kemi përpara nuk do të jetë e lehtë. Nuk ka qenë as edhe deri më tani. Besoj fuqishëm se me ndihmën e Zotit dhe besimin tek njëri tjetri, me popullin para, do t’ia dalim, ashtu siç ia dolëm deri më tani.”, deklaroi Kasami.
Kasami njoftoi gjithashtu se VLEN do të funksionojë si parti e qendrës së djathtë, e cila do të kultivojë vlera familjare, identitet kombëtar dhe orientim të qartë euroatlantik./VOXAL/