Kurti nga Shkupi: Integrimi i shqiptarëve është garanci për stabilitetin e Ballkanit
Integrimi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të shihet si kërcënim për shtetin, por si garanci për stabilitetin, zhvillimin dhe të ardhmen euroatlantike të vendit. Kështu u shpreh nga Shkupi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë formalizimit të subjektit politik VLEN.
Kurti tha se shqiptarët duhet të avancojnë institucionet arsimore dhe kulturore në gjuhën shqipe dhe të paraqiten në mënyrë të organizuar, profesionale dhe dinjitoze në shoqëri, ndërsa institucionet e etnisë shumicë duhet të kuptojnë rëndësinë e integrimit të shqiptarëve në proceset shtetërore.
“Stabiliteti i Ballkanit varet nga integrimi i shqiptarëve, të drejtat dhe kontributi i tyre. Në këtë rrafsh duhet të jemi të qartë. Stabiliteti i Ballkanit nuk ndërtohet mbi përjashtimin apo minimizimin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në procese, por mbi integrimin e tyre të drejtë, meritor dhe të përfaqësuar në qeverisje të pakorruptuar. Nga ana e institucioneve të etnisë shumicë në Maqedoninë e Veriut, duhet të kuptohet që integrimi i shqiptarëve nuk është humbje për shtetin por një fitim i madh për stabilitetin e sigurinë, zhvillimin e për të ardhmen e përbashkët në NATO e drejtë BE-së.”, deklaroi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.
Kryeministri kosovar vlerësoi edhe bashkimin e koalicionit VLEN në një subjekt të vetëm politik, duke e cilësuar si moment me peshë të madhe politike dhe shoqërore për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Sipas tij, në politikë zakonisht shihen ndarje dhe përçarje, ndërsa bashkimi i disa subjekteve në një trup të vetëm politik dëshmon pjekuri dhe përgjegjësi qytetare.
“Jemi mësuar që në politikë shumë shpesh të shohim e përjetojmë ndarje e përçarje, e copëtime të subjekteve politike në formacione të reja, prandaj është shumë më e rrallë kur disa subjekte të ndryshme arrijnë të gjejnë vullnetin, vizionin dhe pjekurinë për t’u bashkuar në një trup të vetëm politik. Arritja juaj më e madhe është bashkimi. VLEN-i tashmë është një subjekt që përfaqëson interesat publike dhe shoqërore të të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.”, shtoi Kurti.
Në fjalimin e tij, Kurti foli edhe për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke përmendur projektet infrastrukturore dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik e politik mes dy vendeve. Ai tha se distancat mes dy shteteve po zvogëlohen gjithnjë e më shumë, ndërsa përfshirja e diasporës në proceset politike mbetet një element i rëndësishëm për zhvillimin dhe lidhjen mes shqiptarëve në rajon./VOXAL/