Kasami për vizitën e Kurtit: Na pret bashkëpunim i frytshëm mes dy partive tona dhe dy qeverive
Liderët e VLEN-it dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti kanë ndjekur bashkërisht shfaqjen teatrale “Përtej hekurave” në Teatrin Shqiptar në Shkup, kushtuar korrespodencës me letra mes Ismail Kadaresë dhe Ukshin Hotit.
Pas shfaqjes, bashkëkryetari i VLEN-it Bilall Kasami tha se me kryeministrin Kurti kanë folur edhe për Kongresin e Bashkimit të VLEN-it më 9 maj, ndërsa paralajmëroi bashkëpunim të frytshëm mes dy partive dhe dy qeverive.
“Sonte na nderoi me vizitën e tij kryeministri i Kosovës, miku im Albin Kurti, me të cilin e ndoqëm bashkë shfaqjen “Përtej hekurave” në Teatrin Shqiptar në Shkup.
Me mjeshtri të rrallë, aktorët e teatrit tonë sollën në jetë një prej veprave më të rëndësishme politike në historinë tonë bashkëkohore, shkëmbimin e letrave mes Ismail Kadaresë dhe Ukshin Hotit.
Përveç që shijuam këtë kryevepër arti, me kryeministrin Kurti folëm edhe për Kongresin e Bashkimit të VLEN-it më 9 maj.
Na presin shumë punë të mira dhe bashkëpunim frytdhënës mes dy partive tona dhe dy qeverive, në të mirën e popullit tonë në dy anët e kufirit”, publikoi Kasami.