Starmer paralajmëron krizë të zgjatur: Britania nuk do të kthehet në “normalitet” edhe pas rihapjes së Hormuzit
Kryeministri britanik Keir Starmer paralajmëroi se situata ekonomike në vend nuk do të “kthehet në normalitet” edhe pasi të rihapet Ngushtica e Hormuzit.
Në një intervistë për BBC Radio 4, Starmer theksoi se vendi duhet të “ndjekë një drejtim tjetër” dhe të mos rikthehet në “status quo”-në që, sipas tij, ka dështuar pas krizave të mëparshme si kriza financiare e vitit 2008 dhe pandemia e Covid-19.
“Status quo-ja nuk po funksiononte, prandaj nuk mund ta përsërisim. Duhet të marrim një drejtim tjetër”, tha ai.
I pyetur nëse po përgatit publikun për një rritje të inflacionit si pasojë e krizës së naftës nga Irani, ai u përgjigj se po, duke shtuar se bota po përballet me “luftë në dy fronte”.
Ai theksoi se po punon për të rihapur Ngushticën e Hormuzit përmes një koalicioni ndërkombëtar së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron, por paralajmëroi se edhe pas rihapjes, situata nuk do të normalizohet menjëherë.
“Edhe pasi të hapet Ngushtica e Hormuzit, nuk dua që askush të mendojë se gjithçka kthehet në normalitet. Nuk do të jetë kështu’, tha ai, duke shtuar se konflikti në Ukrainë dhe zhvillimet globale tregojnë se bota po bëhet më e paqëndrueshme.