RMV bie në Indeksin e Lirisë së Mediave për 2026 – renditet në kategorinë “problematike”
Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie prej tre pozicionesh në Indeksin e Lirisë së Mediave për vitin 2026 të publikuar nga Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 45-të, nga pozita e 42-të që mbante vitin e kaluar. Vendi tashmë klasifikohet në grupin e shteteve ku situata për lirinë e mediave vlerësohet si “problematike”.
Sipas raportit, edhe pse gazetarët nuk përballen me një ambient drejtpërdrejt armiqësor, përhapja e gjerë e dezinformatave dhe mungesa e profesionalizmit kanë ndikuar në rënien e besimit të publikut ndaj mediave. Kjo, siç theksohet, i ekspozon mediat e pavarura ndaj kërcënimeve dhe sulmeve. Po ashtu, në raport vihet në dukje se zyrtarët qeveritarë shpesh kanë qëndrime nënçmuese ndaj gazetarëve.
Raporti vlerëson se ambienti i përgjithshëm mbetet relativisht i favorshëm për lirinë e shtypit, por thekson mungesën e transparencës së institucioneve shtetërore dhe shtimin e presioneve ndaj gazetarisë kritike. Për shkak të polarizimit të thellë politik, mediat shpesh përballen me ndikime nga pushteti, politikanët dhe bizneset, si në nivel qendror ashtu edhe lokal. Dy partitë më të mëdha, sipas raportit, kanë krijuar sisteme paralele mediatike përmes të cilave ushtrojnë ndikim politik dhe ekonomik, ndërsa servisi publik radiodifuziv vuan nga mungesa e pavarësisë editoriale dhe financiare.
Në aspektin ligjor, raporti thekson se ndonëse Kushtetuta garanton lirinë e shprehjes dhe ndalon censurën, vendi ende ecën ngadalë në harmonizimin e legjislacionit mediatik me standardet e Bashkimit Evropian. Një shqetësim i veçantë mbeten paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), të cilat përdoren si mjet presioni ndaj mediave të pavarura. Gjithashtu, ligji i ri që lejon reklamat shtetërore në mediat private ka ngritur shqetësime për ndikim të mundshëm politik përmes reklamimit.
Kjo nuk është hera e parë që vendi shënon rënie – edhe vitin e kaluar kishte një ulje prej gjashtë pozicionesh, nga vendi i 36-të në vitin 2024.
Në rajon, situata vlerësohet si më e mirë në Slloveni (36) dhe Mal të Zi (41). Kroacia (53), Bullgaria (71), Shqipëria (83) dhe Greqia (86) bëjnë pjesë në kategorinë “problematike”, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina (90) dhe Serbia (104) vlerësohen me situatë “të rëndë”.
Në nivel global, Norvegjia mban vendin e parë për të dhjetin vit radhazi, ndërsa Eritrea renditet e fundit. Gjermania është në vendin e 14-të, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë rënë në pozitën e 64-të.
Raporti thekson se për herë të parë në histori, më shumë se gjysma e vendeve në botë klasifikohen në kategoritë “të rënda” ose “shumë serioze” për lirinë e mediave. Nga pesë indikatorët kryesorë të vlerësimit, rënien më të madhe këtë vit e ka shënuar dimensioni ligjor.