Aksident i rëndë hekurudhor në Indonezi, 14 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur mbeten të bllokuar në vagonë
Të paktën 14 persona kanë humbur jetën dhe 84 të tjerë janë plagosur si pasojë e një përplasjeje tragjike trenash në perëndim të Indonezisë, sipas operatorit shtetëror hekurudhor.
Ngjarja ndodhi vonë të hënën në Bekasi, në lindje të kryeqytetit Jakarta, një nga qytetet më të populluara në botë. Përplasja ndodhi mes një treni urban dhe një treni të linjës së gjatë.
Kreu i agjencisë së kërkim-shpëtimit, Mohammad Syafii, deklaroi në një konferencë për shtyp se operacioni i shpëtimit është shumë i ndërlikuar për shkak të dëmtimeve të rënda të vagonëve.
“Ka ende të plagosur që janë gjallë dhe po përpiqemi t’i nxjerrim, por ata janë të bllokuar nga strukturat e trenit,” u shpreh ai.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë shtetërore hekurudhore PT KAI, Bobby Rasyidin, tha se fillimisht treni urban u përplas me një taksi mbi shina dhe më pas u godit nga treni i linjës së gjatë. Ai shtoi se vagoni i dedikuar vetëm për gra pësoi dëmet më të mëdha.
Një pasagjere, Heriyati, tregoi se fillimisht kishte planifikuar të udhëtonte në vagonin për gra, por në momentin e fundit kishte zgjedhur vagonin pas tij.
Ajo i tha Reuters se ishte në telefon me bashkëshortin e saj duke i kërkuar ta priste në stacion kur ndodhi përplasja.
“Nuk e kisha mbaruar ende telefonatën kur trenat u përplasën,” tha ajo.
Hetimet po vijojnë nga Komiteti Kombëtar i Sigurisë së Transportit.
Aksidentet hekurudhore janë relativisht të shpeshta në rrjetin e vjetër hekurudhor të Indonezisë. Në vitin 2024, një tjetër përplasje trenash shkaktoi të paktën katër viktima.
/vizionplus.tv


