“Tymnajë e tejkaluar” e quan ministri i jashtëm Hoxha mesazhin për shqiptarët e RMV
Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, hodhi poshtë pretendimet për një mesazh fyes në një grup WhatsApp-i, ku pretendohej se ju referohet shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut si “idiotë”, duke e cilësuar gjithë situatën si “një tymnajë të tejkaluar”.
Gjatë një deklarate për media, krah kryetarit të Komunës së Çairit dhe një prej liderëve të VLEN-it, Izet Mexhiti, Hoxha theksoi se nuk ka asgjë që mund të dëmtojë raportet mes shqiptarëve.
“U ngrit kjo tymnaja dhe u pamë. Jam i hapur për t’u takuar në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, qoftë kur biem dakord, edhe kur nuk biem dakord, sepse edhe në familje ka mosmarrëveshje”, deklaroi Hoxha.
Ai shtoi se çdo interpretim i kësaj çështjeje është i pavlerë përballë qëllimeve të përbashkëta.
“S’ka asnjë tymnajë që mund të hyjë mes nesh dhe të na zërë sytë për të parë atë që është e përbashkët. Nuk ka asgjë që ngrihet nga hiçi për të errësuar atë që është e domosdoshme – të jemi bashkë si vëllezër dhe të punojmë së bashku”, u shpreh ministri.
Izet Mexhiti theksoi rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimit, ndërkohë që e siguroi ministrin se të drejtat e shqiptarëve në RMV janë avancuar më shumë se kurrë.
“Edhe brenda familjes, mes vëllezërve, mund të ketë keqkuptime, prandaj janë të nevojshme takimet e drejtpërdrejta. Sot, në agjendë kemi pasur Korridorin 8, që është projekti kryesor i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, me vlerë mbi 1.5 miliardë euro. Ky projekt e lidh vendin fillimisht me Shqipërinë, por është edhe korridor pan-evropian dhe i NATO-së. I kam garantuar ministrit se asnjë milimetër nuk është degraduar, madje në shumë sfera ka avancuar çështja shqiptare në Maqedoninë e Veriut”, theksoi Mexhiti.