Ndjenjat anti-Trump po shqyrtohen si motiv për sulmin në darkën e Shtëpisë së Bardhë
Hetuesit po shqyrtojnë ndjenjat anti-Trump si një motiv për të dyshuarin që sulmoi të shtunën me armë zjarri në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington DC, ku ishin të pranishëm presidenti amerikan dhe anëtarët e lartë të administratës së tij.
Zyrtarët kanë thënë se autori i sulmit ka të ngjarë të ketë pasur në shënjestër Donald Trumpin dhe zyrtarë të tjerë të lartë të administratës.
“Ne besojmë, bazuar vetëm në një hetim shumë paraprak për të kuptuar se çfarë ndodhi, se ai kishte në shënjestër anëtarët e administratës”, ka thënë prokurori i përgjithshëm në detyrë i SHBA-së, Todd Blanche në një intervistë televizive.
I dyshuari, i cili është në paraburgim pasi u kap nga anëtarët e zbatimit të ligjit ndërsa nxitonte nëpër hotel, do të paraqitet në gjykatën federale të hënën. Ai përballet me akuza për sulm ndaj një oficeri federal, qitje me armë zjarri dhe përpjekje për të vrarë një oficer federal, por Blanche ka thënë se në varësi të mënyrës se si shkon hetimi, ai mund të akuzohet edhe për tentativën e vrasjes së Trumpit.
Hetuesit po vlerësojnë një shënim që thuhet se është shkruar nga i dyshuari, i cili është identifikuar si Cole Tomas Allen, 31 vjeç, nga Torrance, Kaliforni. Në shënimin e dyshuar, i cili është botuar i plotë nga New York Post, Allen kishte krijuar një listë objektivash për të shtënat, të renditura nga prioriteti më i lartë në atë më të ulët, me zyrtarët e administratës Trump në krye.
Një zyrtar i njohur me çështjen i ka thënë The Guardian se shënimi i botuar nga Post ishte autentik.
I dyshuari për sulmin u kishte dërguar anëtarëve të familjes së tij shkrime në të cilat renditeshin ankesat e tij kundër administratës, rreth 10 minuta para se të ndodhnin të shtënat, sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë që kanë folur me Associated Press.
Zyrtarët kanë thënë se i dyshuari qëlloi me armë gjahu një agjent të Shërbimit Sekret në një pikë kontrolli sigurie në hotelin Washington Hilton përpara se të ndalohej dhe arrestohej.
Trump, Zonja e Parë Melania Trump, zëvendëspresidenti JD Vance dhe zyrtarët e kabinetit u larguan me nxitim ndërsa incidenti zhvillohej. Agjenti i Shërbimit Sekret që u qëllua i shpëtoi lëndimeve të rënda sepse plumbi goditi jelekun e tij mbrojtës, ka thënë Trumpi.