Ramiz Merko shpërthen ndaj BDI-së: Pse unë u lashë vetëm, ndërsa të tjerët po mbrohen?
Ish kreu i Strugës, Ramiz Merko ka reaguar ashpër ndaj situatës së tij politike dhe trajtimit brenda strukturave të BDI, duke ngritur akuza për “standard të dyfishtë” në mbrojtjen e ish-funksionarëve të partisë.
Në një deklaratë, ish-kryetari i Strugës shprehet se ndjehet i lënë vetëm gjatë përballjes me procese gjyqësore, ndërsa, sipas tij, figura të tjera politike kanë marrë mbështetje dhe mbrojtje publike.
“Pse unë u lashë vetëm, ndërsa të tjerët po mbrohen? Pse ky standard i dyfishtë?”, pyet Merko, duke theksuar se për vite me radhë ka qenë aktiv në politikë dhe ka kontribuar në rezultate zgjedhore në Strugë dhe zonën zgjedhore 5.
Ai pretendon se në rastin e tij nuk ka pasur mbështetje institucionale apo partiake gjatë proceseve që e kanë përfshirë, duke shtuar se distancimi nga ai ka qenë i hapur.
Merko gjithashtu reagon ndaj deklaratave të fundit të BDI-së për presion politik ndaj ish-funksionarëve si Blerim Bexheti dhe Fatmir Dehari, duke thënë se parimet për drejtësi të barabartë nuk po zbatohen njësoj për të gjithë.
Në deklaratë, ai përmend edhe ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi, duke sugjeruar se reagimet ndaj figurave të ndryshme politike nuk janë të njëjta – disa raste, sipas tij, trajtohen me kujdes apo mbrojtje, ndërsa të tjerat jo.
Në fund, Merko shprehet se qëndron në mbështetje të ish-funksionarëve që, siç thotë ai, përballen me presione politike, duke theksuar se “drejtësia nuk mund të jetë selektive, por duhet të vlejë njësoj për të gjithë”