Kryeministri paralajmëron çmime të reja të derivateve
Maqedonia renditet ndër tre shtetet evropiane që kanë ndërmarrë masat më voluminoze për zbutjen e efekteve të goditjeve të çmimeve, ndërsa nga nesër pritet një ulje e re e çmimeve të benzinës dhe të naftës për një denar e gjysmë, njoftoi sot kryeministri Hristijan Mickoski.
Siç deklaroi Mickoski në një konferencë për shtyp, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të publikuara më 15 prill, shteti renditet në vendin e tretë në Evropë për nga shtrirja e masave të ndërmarra, si përqindje e prodhimit të brendshëm bruto, të orientuara drejt amortizimit të pasojave të krizës energjetike, pavarësisht, siç tha ai, pretendimeve të qeverisë së mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së se masat ose kishin ardhur me vonesë, ose nuk kishin qenë të nevojshme.
“Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se politikat tona nuk janë të izoluara, por janë plotësisht në përputhje me trendet botërore. Bazuar në analizat e fundit në nivel evropian, sipas FMN-së, në Evropë jemi ndër tre shtetet e para që kanë ndryshuar më së shumti gjëra dhe kanë zbatuar më së shumti masa për përballimin e goditjeve të çmimeve. Dhe pikërisht këtë mund ta shohim këtu në këtë slajd. Ju kujtohet se gjatë periudhës së kaluar LSDM-ja dhe partnerët e tjerë të koalicionit në qeverinë e mëparshme, siç është BDI-ja, thonin se jemi duke u vonuar me masat, se ato masa nuk ishin të mjaftueshme e të tjera. Por, sipas të dhënave nga FMN, të publikuara më 15 prill, pra para katër ditësh, mund të vëreni se ne, si shtet, jemi në vendin e tretë për nga masat që kemi zbatuar si përqindje e PBB-së në Evropë. Gënjyen për migrantët, gënjyen se do të falimentonim, gënjyen se nuk do të kishte mjete për pensione, e kush e di edhe çfarë tjetër gënjyen; kështu gënjyen edhe për masat që i zbatuam dhe të përgatitur e pritëm krizën energjetike, e cila, po e përsëris, nuk varet nga ne, por nga zhvillimet gjeopolitike dhe botërore. Nga slajdi mund të shihni gjithashtu se praktikisht, si shtet, jemi në vendin e tretë, dhe kjo është diçka që në të kaluarën, për qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së, paraqiste diçka të pamundur. Efektet e këtyre politikave sot janë qartësisht të dukshme”, tha Mickoski.
Kryeministri theksoi se kriza energjetike është shkaktuar nga zhvillimet globale gjeopolitike dhe se nuk është rezultat i politikave të brendshme, duke shtuar se efektet e masave qeveritare sot janë qartësisht të dukshme, veçanërisht në kushtet e korrigjimit të çmimeve në bursat botërore.
Ai nënvizoi se vendi po përballet me një periudhë të theksuar pasigurie globale dhe se goditjet e çmimeve të energjisë nuk janë rezultat i politikave të brendshme, por i rrethanave gjeopolitike, veçanërisht i krizave në Lindjen e Mesme dhe i turbulencave në tregjet botërore. Në kushte të tilla, theksoi ai, obligim i Qeverisë është të reagojë me kohë dhe t’i mbrojë qytetarët dhe ekonominë.
Mickoski informoi se Komisioni Rregullator për Energjetikë pritet që nesër të marrë një vendim me të cilin çmimet e benzinës dhe të naftës do të ulen për rreth një denar e gjysmë. Në fuqi mbetet edhe masa e dakorduar me kompaninë OKTA, sipas së cilës deri në fund të prillit benzina do të ketë zbritje.
“Njëkohësisht, në fuqi mbetet masa që më herët e dakorduam me OKTA-n, sipas së cilës deri në fund të prillit benzina do të ketë ulje prej dy denarësh për litër, ndërsa nafta prej tre denarësh për litër. Me këtë, sërish mund të konstatohet se jemi shteti me çmimet më të ulëta të karburanteve”, theksoi Mickoski.