Digjen pesë automjete pranë Kalasë së Shkupit, një i lënduar
Pesë automjete të pasagjerëve u përfshinë nga një zjarr që shpërtheu këtë pasdite në rrugën “Llazar Liçenoski”, në afërsi të Kalasë së Shkupit, përballë stadiumit të qytetit.
Sipas informacioneve nga Brigada Kundër Zjarrit e Qytetit të Shkupit, në incident dy automjete u dogjën plotësisht, ndërsa te tre të tjerat u shkaktua dëm material i pjesshëm.
Zjarri u raportua në orën 15:40, ndërsa informacionet fillestare ishin se po digjeshin bar i thatë, mbeturina dhe automjete të parkuara. Komandanti i Brigadës Kundër Zjarrit, Zvonko Tomeski, për MIA konfirmoi se në terren menjëherë janë dërguar tre automjete zjarrfikëse dhe tetë zjarrfikës.
Falë reagimit të shpejtë të ekipeve, zjarri u vu nën kontroll dhe u parandalua përhapja e tij e mëtejshme.
“Me ndërhyrjen e shpejtë të ekipeve, zjarri u lokalizua dhe u shua plotësisht në orën 16:40”, informoi Tomeski.
Për zjarrin u publikua informacion edhe në faqen në Facebook “Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Në njoftim, i shoqëruar me video, thuhet se sot rreth orës 15:40, në ish-poligonin për trajnim të automjeteve motorike, ushtari profesionist Hristijan Bozhinovski, gjatë largimit nga vendi i punës, ka vërejtur se disa automjete të parkuara ishin përfshirë nga flakët.
“Duke vlerësuar seriozitetin e situatës dhe rrezikun që zjarri të përhapet te automjetet e tjera të parkuara, ushtari Bozhinovski menjëherë ka kontaktuar komandantin e stadiumit ushtarak në Shkup, duke kërkuar mbështetje për lokalizimin e zjarrit. Pjesëtarët e Armatës që ishin në detyrë në stadiumin ushtarak në Shkup menjëherë kanë ofruar ndihmë, duke përdorur aparate kundër zjarrit nga njësia”, thuhet në njoftim.
Për shkak të përmasave të zjarrit dhe duke vlerësuar se nuk mund të shuhej lehtë, ata nisën zhvendosjen e automjeteve që nuk ishin përfshirë nga flakët, duke arritur kështu të parandalojnë përhapjen e zjarrit.
Gjatë ndërhyrjes, ushtari profesionist Hristijan Bozhinovski pësoi lëndime të lehta në njërën dorë dhe iu ofrua ndihma e duhur mjekësore.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftojnë se një person është lënduar në zjarrin që shpërtheu këtë pasdite nën Kalanë e Shkupit, ku digjeshin bar i thatë, mbeturina dhe automjete të parkuara.
Sipas informacioneve fillestare nga policia, në zjarr është lënduar një person dhe janë djegur tre automjete.