Albi Qamili: Ligji për Përfaqësim të Drejtë do ta vë në binarë këtë çështje një herë e përgjithmonë
Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat së shpejti në rend dite në Kuvend, njoftoi përfaqësuesi i VLEN-it Albi Qamili gjatë debatit në Click Plus në TV21. Ai tha se versioni i Ligjit i kaluar së fundmi në Qeveri ka inkorporuar sugjerimet e Komisionit të Venecias dhe do ta vë në binarë një herë e përgjithmonë përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Qamili tha se Ligji parashikon që të ketë një grup koordinues, i udhëhequr nga zv/kryeministri shqiptar, i cili do ta mbikëqyr përfaqësimin në të gjitha institucionet.
“Do të ketë Trup Koordinues i cili do të udhëhiqet nga zv/kryeministri shqiptar, do të ketë edhe profesorë universitarë, do të ketë edhe shoqata joqeveritare. Brenda 6 muajve pas miratimit të ligjit do të krijohet edhe metodologjia”, tha Qamili.
Ai theksoi se me këtë ligj fuqizohet Marrëveshja e Ohrit, pasi për herë të parë përfaqësimi si kategori kushtetuese rregullohet me ligj.
Balancuesi, që ishte vegël që rregullonte këtë çështje deri në vitin 2024, sipas Qamilit po keqpërdorej, me shumë maqedonas që punësoheshin në vendin e shqiptarëve duke u vetëdeklaruar si shqiptarë. Me ligjin e ri, etnia verifikohet me dokumentet personale.
“Si kriter objektiv do të vendoset emri personal në dokumentet personale”, deklaroi Qamili në TV21.
Zv/kryetari i Tetovës përkujtoi se vetë Qeveria LSDM-BDI kishte kërkuar heqjen e Balancuesit në mandatin e tyre të fundit.