“Safe City” nis edhe në një qytet tjetër
Projekti “Qytet i Sigurt” (Safe City) ka dhënë efektet e para konkrete në uljen e aksidenteve në vend, ndërsa autoritetet paralajmërojnë zgjerimin e tij në qytete të reja, përfshirë edhe Strumicën.
Sipas të dhënave zyrtare, nga fillimi i funksionimit të sistemit në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, si dhe në korridoret kryesore rrugore, janë regjistruar gjithsej 46.970 shkelje vetëm në periudhën 2 shkurt – 2 prill 2026.
Prej tyre, shumica dërrmuese – 45.001 raste – kanë të bëjnë me tejkalim të shpejtësisë së lejuar, duke konfirmuar se vozitja e shpejtë mbetet problemi kryesor në komunikacion. Po ashtu, janë evidentuar 1.679 shkelje për dokumentacion të skaduar të automjeteve dhe 290 raste të kalimit në semafor të kuq.
Vetëm gjatë muajit shkurt janë regjistruar 19.066 shkelje, në mars 26.241, ndërsa në dy ditët e para të prillit edhe 1.663 të tjera.
Paralelisht me numrin e lartë të shkeljeve, vihet re një rënie e aksidenteve rrugore. Në periudhën janar–shkurt 2026 janë regjistruar 929 aksidente, që është rreth 9,8% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin 1.030 raste.
Autoritetet vlerësojnë se sistemi, i cili funksionon përmes kamerave inteligjente dhe analizës automatike, po ndikon drejtpërdrejt në disiplinimin e shoferëve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.
Ndërkohë, projekti pritet të zgjerohet edhe në Ohër dhe Strugë para sezonit turistik, ndërsa në Strumicë tashmë kanë nisur vendosjet e para të kamerave. Institucionet paralajmërojnë mbulim të pikave kyçe dhe funksionalizim gradual të sistemit.
Megjithatë, krahas rezultateve pozitive në siguri, në opinion publik vazhdojnë debatet për mbrojtjen e privatësisë dhe mënyrën e përdorimit të të dhënave të mbledhura nga sistemi./VOXAL/