Halili: BDI ka tradhtuar kauzën e gjuhës shqipe
Ish-diplomati Muhamed Halili ka goditur ashpër BDI-në dhe koalicionin e saj në një kolumnë të titulluar “EPSTEIN-at e politikave shqiptare”. Ai ka akuzuar se protesta e studentëve të drejtësisë për të drejtën e provimit në gjuhën shqipe, e cila sipas Kushtetutës dhe Ligjit për gjuhët është legjitime, është keqpërdorur nga funksionarë të BDI-së dhe AKI-së.
Halili shkruan se në vend që të jenë mirënjohës për kontributin e shqiptarëve, disa ministra e deputetë të BDI-së kanë treguar sjellje të padenjë dhe pa moral, duke e kthyer protestën në një shfaqje të turpit politik. Ai kujton se gjatë viteve të sundimit të BDI-së, edhe pse shqiptarët kishin pesë ministra të drejtësisë, studentët provimin e jepnin në maqedonisht dhe jo në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si nënçmim të të drejtave kushtetuese.
Në kolumnën e tij, Halili rikujton edhe “bombat” e Zaevit, të cilat sipas tij u ndaluan nga Ali Ahmeti dhe Zoran Zaev pasi e kryen punën e rrëzimit të qeverisë, ku dilnin në pah lista të turpshme të hartuar nga ish-ministra të BDI-së për përdhunime, burgosje të të rinjve dhe veprime të tjera të ndyta.
“Fatkeqësisht në këto protesta ku studentët me të drejtë kërkuan që sipas Kushtetutës dhe ligjit për gjuhët ta ruajnë të drejtën e provimit në gjuhën shqipe u infiltruan edhe disa epsteina të politikës shqiptare nga rradhët e BDI-së dhe koalicionit AKI, si ministra e deputetë edepseza, funksionarë partie pa fije morali dhe fjalori njerëzor, të cilët, në vend që t’ju jenë mirënjohës nënave shqiptare për kontributin e tyre gjatë luftës, kërkonin t’i dhunojnë ato; pastaj aty morën pjesë ish ministra edepsëza, pa fije morali,që dikur, sipas “bombave” të Zaevit të cilat Alija dhe Zaevi i ndaluan së emetuari pasi e kryen punën e tyre të rrëzimit të qeverisë dhe ardhjes së tyre në pushtet, hartonin lista të femrave tetovare dhe atyre tjerave në përgjithësi ,për t’i përdhunuar, që sipas të dhënave të tyre ishin të “asaj dore”, lista të të rinjëve që duhet burgosur se duan të formojnë parti politike, dhe punë tjera të ndyta në pafundësi”, shkruan ai.
Halili e përshkruan këtë sjellje si “epsteinizim” të politikës shqiptare, duke e cilësuar BDI-në si një strukturë që ka humbur çdo moral dhe që ka tradhtuar kauzën e shqiptarëve. /Zhurnal/