Shasivari demaskon BDI-në: Mbrojtësit e rremë të gjuhës shqipe
Profesori Jeton Shasivari ka reaguar ashpër ndaj BDI-së, e cila sot tenton të paraqitet si mbrojtëse e gjuhës shqipe, duke zbuluar rolin e tyre real kur kishte mundësi konkrete për ta forcuar gjuhën shqipe në kushtetutë.
“Përkushtimin e atyre që sot derdhin lot krokodili ndaj gjuhës shqipe, e njoh fare mirë,” shkruan Shasivari, duke iu referuar kohës kur si anëtar i Komisionit për ndryshime kushtetuese, së bashku me kolegen Prof. Dr. Besa Arifi, hartuan dhe dërguan më 18 maj 2023 tek të gjithë anëtarët e komisionit një propozim të përbashkët për Amendamentin e ri kushtetues XXXVIII.
Ky amendament kërkonte zëvendësimin e formulimit të paqartë “gjuhë tjetër të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve” me formulimin “gjuha shqipe dhe alfabeti i saj”.
Sipas profesorit, kjo nismë u refuzua nga sabotuesit partiakë dhe politikë të asaj kohe.
“Qasja ishte lëreni këtë gjë se nuk është koha tani, duke na lënë të vetëm në angazhimin tonë profesional dhe kombëtar”, shkruan Shasivari.