UNESCO në maj inspekton Korridorin 8
UNESCO do të zhvillojë një inspektim në gjysmën e dytë të muajit maj në rajonin ku parashihet ndërtimi i segmentit të Korridori 8, konkretisht në pjesën nga Trebenishta deri në Qafë Thanë. Ndërkohë, në muajin qershor pritet të merret vendimi përfundimtar se nëpër cilën trase do të realizohet ky segment, i cili duhet të lidhet me autostradën Ohër–Kërçovë.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se nëse nuk miratohet varianti aktual i trasesë, autoritetet do të propozojnë alternativa të tjera, duke theksuar se zhvillimi i rajonit duhet të ecë paralelisht me mbrojtjen e trashëgimisë.
“Sa i përket trasesë, nëse nuk është kjo, ne do të gjejmë zgjidhje me një trasë tjetër. Ka edhe vende të tjera turistike në botë që janë të mbrojtura nga UNESCO, por megjithatë zhvillohen. Ne duhet të gjejmë mënyrë se si ta zhvillojmë këtë rajon. Nuk mund të pajtohemi me këto argumente. Ne kërkojmë trajtim të njëjtë dhe të drejtë si vendet e tjera turistike”, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se problematika nuk lidhet vetëm me trasenë e rrugës, por edhe me kufizimet që, sipas tij, kanë rënduar jetën e banorëve në zonat e mbrojtura, sidomos për zgjerimin apo rindërtimin e objekteve të tyre.
Sa i përket financimit, Mickoski bëri të ditur se është tejkaluar pengesa e krijuar pas tërheqjes së kredisë nga banka kineze Exim, duke theksuar se tashmë është siguruar një zgjidhje alternative.
“Patëm një vështirësi të vogël, veçanërisht në pjesën e sigurimit të mjeteve për financimin e segmentit Kërçovë–Ohër, sepse kredinë që e merrnim nga banka kineze Exim më nuk e marrim. Por shpejt u riorganizuam dhe ai problem u tejkalua. Është formuar një sindikatë e bankave vendore, me kushte jashtëzakonisht të favorshme dhe praktikisht ato banka vendore do ta përfundojnë financimin dhe kjo do të jetë e fundit, dhe me këtë më në fund ajo pjesë do të jetë funksionale”, theksoi ai.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se po vazhdon ndërtimi i segmenteve Tetovë–Gostivar dhe Gostivar–Bukojçan, ndërsa raporti për segmentin Bukojçan–Kërçovë tashmë u është dorëzuar kredidhënësve.