10 tonë lëkurë qengji nga Shqipëria ndalohen në kufi – rrezik nga përhapja e murtajës te ruminantët e vegjël
Në kushte të rritjes së rreziqeve shëndetësore në rajon, kontrollet kufitare po dëshmojnë edhe një herë se janë linja e parë e mbrojtjes për shëndetin publik dhe prodhimin vendor.
Veterinerët zyrtarë të Agjencia për Ushqim dhe Veterinari në pikën kufitare Qafë Thanë kanë zbuluar dhe kthyer një dërgesë prej mbi 10 tonë lëkurë qengji me origjinë nga Shqipëria, e cila ishte planifikuar të kalonte transit nëpër Maqedoninë e Veriut.
Vendimi për kthimin e dërgesës është marrë në përputhje me masat parandaluese të vendosura pas shfaqjes së sëmundjes murtaja e ruminantëve të vegjël në vendin fqinj – një sëmundje serioze ngjitëse që mund të shkaktojë dëme të mëdha në blegtori.
Nga Agjencia bëjnë të ditur se reagimi në kohë është dëshmi e nivelit të lartë të gatishmërisë dhe profesionalizmit të shërbimeve në terren, të cilat vazhdimisht kryejnë kontrolle të shtuara në pikat kufitare.
Në një periudhë kur rreziku i përhapjes ndërkufitare të sëmundjeve është i shtuar, masa të tilla konsiderohen thelbësore për mbrojtjen e blegtorisë vendase dhe sigurinë ushqimore. Nga AUV theksojnë se mbeten plotësisht të përkushtuar në misionin e tyre – mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe garantimin e sigurisë së prodhimit vendor./VOXAL/