Trefishohet shitja e karburantit në pikat kufitare, Mickoski thotë se ska kufizime
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se vendi po përballet me një rritje të ndjeshme të konsumit të karburanteve, si pasojë e fluksit të shtuar të qytetarëve nga shtetet fqinje që furnizohen në Maqedoninë e Veriut.
Sipas tij, vetëm gjatë javës së kaluar, konsumi ka arritur në rreth 2 milion litra në ditë, nga rreth 1.5 milion litra që ishte më parë.
“Javën e kaluar konsumi i karburanteve ka arritur në 2 milion litra në ditë. Kemi presion të jashtëzakonshëm në kufirin verior, perëndimor dhe jugor, ku harxhimi në disa pika të karburantit madje është trefishuar”, deklaroi Mickoski.
Ai sqaroi se bëhet fjalë për qytetarë nga shtetet fqinje si Kosova, Serbia, Shqipëria, Greqia, të cilët po vijnë për të furnizuar automjetet e tyre me karburant në vend.
“Kjo do të thotë se qytetarët e shteteve fqinje vijnë të mbushin rezervuarët e makinave tek ne dhe të përdorin shërbimet e pikave tona të karburantit”, tha ai.
Pavarësisht rritjes së konsumit, kryeministri theksoi se nuk pritet vendosja e kufizimeve.
“Për momentin nuk ka nevojë për asnjë lloj kufizimi, pasi kemi marrë garanca nga furnizuesit se furnizimi i konsumatorëve vendas nuk është i rrezikuar”, u shpreh Mickoski.
Autoritetet bëjnë të ditur se situata po monitorohet vazhdimisht, por theksojnë se tregu mbetet stabil dhe furnizimi i rregullt për qytetarët vendas është i garantuar./VOXAL/