Alarm për radikalizmin tek të rinjtë në RMV: raste që nisin që në moshën 14-vjeçare
Radikalizmi tek të rinjtë në Maqedonia e Veriut po merr forma gjithnjë e më komplekse, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se fenomeni tashmë prek edhe fëmijë që nga mosha 14-vjeçare. Ky ishte një nga konstatimet kryesore në një panel kushtuar sigurisë dhe parandalimit të ekstremizmit, ku u theksua se vendi mbetet stabil, por rreziqet janë reale dhe kërkojnë vëmendje të vazhdueshme.
Profesori i Fakultetit të Sigurisë në Shkup, Marjan Gjurovski, paralajmëroi se radikalizmi në vend nuk kufizohet vetëm në një dimension.
“Përveç ekstremizmit islam, që nuk duhet nënvlerësuar, ekzistojnë edhe forma të tjera, përfshirë ekstremizmin ortodoks dhe ndikimet proruse në Maqedoni”, deklaroi ai.
Ai shtoi se rrezik përbëjnë edhe shtetasit që luftojnë në konflikte të huaja, si dhe keqpërdorimi i grupeve të tifozëve nga struktura radikale të djathta.
Ekspertët theksuan se radikalizimi nuk është më vetëm fenomen fetar. Analistja gjeopolitike Nela Jakshiq vlerësoi se sot ekstremizmi shfaqet edhe në forma politike dhe ideologjike, të ushqyera nga dezinformimi, krizat ekonomike dhe tensionet globale.
“Radikalizimi nuk vjen vetvetiu – ai ndërtohet përmes manipulimit të informacionit, presionit ekonomik dhe krizave energjetike”, theksoi ajo.
Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë Boban Stojanovski paralajmëroi për rrezikun e propagandës në rrjetet sociale dhe për fenomenin e rikthimit të personave nga zonat e konfliktit. Sipas tij, disa prej tyre, edhe pse nuk përfshihen drejtpërdrejt në aktivitete terroriste pas kthimit, mund të kryejnë vepra të tjera penale, duke mbetur faktor rreziku për shoqërinë.
Shqetësim i veçantë mbetet radikalizimi online. Sipas të dhënave të prezantuara nga përfaqësues të Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë, janë identifikuar raste ku të rinjtë ekspozohen ndaj përmbajtjeve ekstremiste që në moshë shumë të hershme. Në kuadër të një projekti për ndërtimin e komuniteteve rezistente, janë realizuar dhjetëra punëtori me nxënës, prindër dhe mësues, si dhe aktivitete për riintegrimin e personave të kthyer nga zonat e konfliktit.
“Veçanërisht shqetësuese është se radikalizimi po shfaqet edhe tek fëmijët 14-vjeçarë, kryesisht përmes internetit”, u theksua gjatë prezantimit të rezultateve.
Megjithatë, përfaqësuesit institucionalë theksuan se situata e sigurisë në vend mbetet stabile. Koordinatori nacional për luftë kundër ekstremizmit, Pavle Trajanov, deklaroi se aktualisht nuk ka indikacione për rritje të drejtpërdrejtë të kërcënimeve, por paralajmëroi se zhvillimet globale mund të kenë ndikim indirekt.
“Është kyçe të ruhet stabiliteti i brendshëm dhe të mos politizohen këto çështje”, tha ai.
Pavarësisht stabilitetit aktual, mesazhi kryesor nga ekspertët është i qartë: radikalizmi tek të rinjtë në Maqedoninë e Veriut është një proces në zhvillim që kërkon reagim të koordinuar nga institucionet, sistemi arsimor, familja dhe shoqëria në tërësi, për të parandaluar pasoja afatgjata për sigurinë dhe kohezionin social./VOXAL/