Urime nga krerët shtetërorë për Bajram dhe mesazhe për paqe e bashkëjetesë
Besimtarët e fesë islame në Maqedoninë e Veriut sot po festojnë Fitër Bajramin, i cili shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit dhe agjërimit njëmujor.
Festa ka nisur me faljen e namazit të sabahut në xhamitë në mbarë vendin. Në Xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup, përveç kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetai, morën pjesë edhe përfaqësues të lartë shtetërorë, mes tyre kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali dhe ambasadori i Turqisë, Fatih Ulusoy.
Pas faljes, besimtarët vizitojnë varrezat e familjarëve të tyre, ndërsa festa zgjat tre ditë dhe shënohet me solidaritet, ndihmë për të varfrit dhe kujdes për të afërmit.
Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetai, në urimin e tij theksoi se kjo festë duhet të jetë “burim paqeje, mirëqenieje dhe lumturie për të gjithë”, duke nënvizuar rëndësinë e vlerave morale.
Urime për festën dërguan edhe drejtuesit shtetërorë dhe politikë.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova theksoi se fryma e Ramazanit ndihet në të gjithë shoqërinë dhe bëri thirrje për unitet, respekt dhe ndërtim të një të ardhmeje të qëndrueshme.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, uroi shëndet, paqe dhe mirëqenie, duke theksuar rëndësinë e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.
Kryeministri Hristijan Mickoski vlerësoi se kjo festë na kujton rëndësinë e solidaritetit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit, ndërsa lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, e cilësoi Bajramin si simbol të humanizmit, mirëkuptimit dhe bashkimit.
Fitër Bajrami konsiderohet një nga festat më të rëndësishme islame, që përveç dimensionit shpirtëror, përcjell mesazhe të fuqishme për paqe, solidaritet dhe bashkëjetesë në shoqëri.