RMV shënon rënie të nivelit të vdekshmërisë së foshnjeve
Maqedonia e Veriut është radhitur mes vendeve më të suksesshme në botë për uljen e vdekshmërisë neonatale dhe asaj tek fëmijët nën pesëvjeçarë, sipas raportit global për vitin 2025 të Grupi ndëragjencor i Kombeve të Bashkuara për vlerësimin e vdekshmërisë tek fëmijët.
Në një konferencë për shtyp, ministri i Shëndetësisë Azir Aliu deklaroi se të dhënat tregojnë një rënie të ndjeshme të këtyre treguesve gjatë viteve të fundit.
“Sipas raportit, shkalla e vdekshmërisë tek të sapolindurit për një dekadë jo të plotë është ulur për 87 për qind – nga 8,1 në 1,1 raste në 1.000 lindje. Ndërkohë, vdekshmëria tek fëmijët nën pesëvjeç është ulur për 75 për qind – nga 11,1 në 2,8 në 1.000 lindje”, tha Aliu.
Ai theksoi se vendi është shndërruar në shembull pozitiv në nivel global, falë bashkëpunimit institucional dhe partnerëve ndërkombëtarë si UNICEF, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNFPA, si dhe angazhimit të Komitetit për amësi të sigurt pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërkaq, drejtoresha e Klinikës për Gjinekologji dhe Obstetrikë, Irena Aleksioska-Papestiev, vlerësoi se këto rezultate dëshmojnë se me punë sistematike dhe të koordinuar mund të arrihen standarde ndërkombëtare në përmirësimin e shëndetit të nënave dhe fëmijëve.