Nenad Saveski zgjidhet Prokuror i ri i Shtetit me 66 vota “pro”
Gjyqtari i Gjykatës Themelore Penale në Shkup, Nenad Saveski, është zgjedhur Prokuror i ri i Shtetit. Ai mori mbështetjen e 66 deputetëve, ndërsa dy votuan kundër dhe tetë abstenuan.
Saveski është i lindur në vitin 1976 dhe jeton në Gostivar. Ai është magjistër i shkencave juridike në fushën e së drejtës penale. Studimet dhe magjistraturën i ka përfunduar në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Provimin e jurisprudencës e ka dhënë në vitin 2003.
Karrierën profesionale e ka ndërtuar kryesisht në sistemin gjyqësor dhe prokurorial. Që nga viti 2016 ai ushtron detyrën e gjyqtarit në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, në Departamentin për Krim të Organizuar dhe Korrupsion. Më parë, nga viti 2009 deri në vitin 2016, ka punuar si prokuror publik në Prokurorinë Themelore Publike, ndërsa në periudhën 2004–2009 ka qenë bashkëpunëtor profesional në Gjykatën Themelore në Gostivar.
Hapat e parë në drejtësi i ka bërë si praktikant gjyqësor në Gjykatën Themelore në Gostivar, ku ka punuar nga viti 2000 deri në vitin 2002.VOXAL