Heqja e masave ndaj Kosovës, çka deklaroi përfaqësuesi i Komisionit Evropian?
Komisioni Evropian i ka hequr të gjitha masat financiare të vendosura ndaj Kosovës.
Kjo u konfirmua gjatë një debati në Parlamentin Evropian lidhur me raportin për Kosovën nga Jiri Plecity, përfaqësues i KE-së.
“Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së”, deklaroi Plecity gjatë fjalimit të tij.
Ai foli edhe për aplikimin e Kosovës në BE, procesin integrues dhe çështje tjera.
Bashkimi Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023, duke pezulluar financimin dhe takimet dypalëshe midis zyrtarëve evropianë dhe atyre të Qeverisë së Kosovës.
Këto masa ishin vendosur pas tensioneve në komunat me shumicë serbe në Kosovë, pasi në krye të komunave ishin kryetarët shqiptarë.
Para disa muajsh kishte filluar largimi gradual i këtyre masave, ndërkaq sot u konfirmua largimi i plotë i tyre.