Kuvendi i Shqipërisë shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 79 vota pro një rezolutë që shpall Republikën Islamike të Iranit si shtet sponsor të terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste në funksion të politikës së tij të jashtme. Vendimi u miratua vetëm me votat e mazhorancës, pasi Partia Demokratike nuk mori pjesë në seancën plenare.
Rezoluta dënon ashpër veprimet e qeverisë iraniane që, sipas dokumentit, mbështesin ose mundësojnë akte terrorizmi, operacione hibride dhe aktivitete destabilizuese në rajone të ndryshme të botës. Po ashtu, shprehet solidaritet me vendet e Gjirit Persik dhe Turqinë, të cilat konsiderohen si objektiva të këtyre aktiviteteve.
Një pjesë e rëndësishme e rezolutës i kushtohet edhe sulmeve kibernetike ndaj Shqipërisë, përfshirë sulmin ndaj infrastrukturës shtetërore në vitin 2022 dhe përpjekjet e fundit për ndërhyrje në sistemet e Kuvendit.
Në dokument dënohet gjithashtu aktiviteti i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), për rolin e saj në mbështetjen e organizatave terroriste dhe operacioneve destabilizuese, ndërsa i bëhet thirrje qeverisë shqiptare që ta shpallë këtë strukturë si organizatë terroriste. Po ashtu, kërkohet që edhe Hezbollah të shpallet organizatë terroriste, duke ndjekur shembullin e disa vendeve perëndimore.
Rezoluta i kërkon qeverisë shqiptare të forcojë masat kundër terrorizmit dhe kërcënimeve kibernetike, si dhe të rrisë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër financimit të terrorizmit dhe aktiviteteve të lidhura me strukturat shtetërore iraniane.
Në fund, Kuvendi rikonfirmon përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqes ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe mbrojtjes së civilëve nga aktet terroriste, ndërsa rezoluta do t’u përcillet institucioneve ndërkombëtare dhe vendeve aleate.
Rezoluta e sapo miratuar parashikon që Kuvendi i Shqipërisë:
Pika 1: Dënon me termat më të ashpër veprimet e Qeverisë së Republikës Islamike të Iranit që mbështesin, mundësojnë ose kryejnë akte terrorizmi, operacione hibride dhe aktivitete destabilizuese në rajone të ndryshme të botës si dhe shpreh solidaritetin e plotë me vendet mike të Gjirit Persik dhe me Turqinë, të cilat janë shënjestuar nga aktiviteti terrorist i sponsorizuar nga Qeveria e Republikës Islamike të Iranit.
Pika 2: Dënon gjithashtu sulmet kibernetike të kryera kundër institucioneve të Republikës së Shqipërisë, përfshirë sulmin e vitit 2022 ndaj infrastrukturës shtetërore dhe përpjekjet e fundit për ndërhyrje në sistemet e Kuvendit të Shqipërisë.
Pika 3: Shpall Republikën Islamike të Iranit si Shtet Sponsor të Terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste në ndjekje të objektivave të tij të politikës së jashtme.
Pika 4: Dënon aktivitetet e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe entiteteve të lidhura me të për rolin e tyre në mbështetjen e organizatave terroriste, forcave të armatosura përfaqësuese dhe operacioneve destabilizuese.
Pika 5: I bën thirrje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë që:
– të forcojë masat kombëtare dhe ndërkombëtare për të luftuar terrorizmin e sponsorizuar nga shtetet dhe kërcënimet kibernetike;
– të bashkëpunojë ngushtë me vendet aleate dhe partnere në parandalimin dhe luftimin e financimit të terrorizmit dhe aktiviteteve të lidhura me strukturat shtetërore iraniane;
– të mbështesë nismat në organizatat ndërkombëtare që synojnë përgjegjshmërinë për aktet e terrorizmit, sulmet kibernetike dhe shkeljet e së drejtës ndërkombëtare.
– të shpallë menjëherë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), si organizatë terroriste,
– të shpallë gjithashtu Hezbollah si një organizatë terroriste proxy të Republikës Islamike të Iranit, duke iu bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Hollandës dhe një numri shtetesh anëtare të BE-së si dhe vende të tjera, të cilat e kanë ndërmarrë më parë këtë përcaktim.
Pika 6: U bën thirrje vendeve demokratike, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të Shqipërisë që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve.
Pika 7: Rikonfirmon përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj paqes ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe mbrojtjes së civilëve nga aktet e terrorit.
Pika 8: Udhëzon që kjo Rezolutë t’i përcillet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, qeverive aleate, Organizata e Kombeve të Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë përkatës.VOXAL