Kaos global në aviacion: Mbi 23 mijë fluturime anulohen, mijëra pasagjerë bllokohen në Lindjen e Mesme
Më shumë se 23.000 fluturime janë anuluar në gjithë botën që nga sulmi i parë hakmarrës i Iranit, sipas të dhënave nga platforma për analizën e fluturimeve “Sirium”
Këto anulime – përfshirë edhe në qendrat kryesore si Dubai, Abu Dhabi dhe Doha – kanë lënë qindra mijëra pasagjerë të bllokuar në rajon. Ndërsa disa po presin fluturime riatdhesimi të organizuara nga qeveritë për t’u kthyer në shtëpi, të tjerë janë të gatshëm të shpenzojnë më shumë se 200.000 dollarë për fluturime charter drejt Evropës nga Dubai.
MSC Cruises njoftoi të enjten se do të marrë me qira pesë fluturime, secili me rreth 1.000 pasagjerë, për të riatdhesuar mysafirët e saj nga MSC Euribia, një anije me kapacitet 6.300 persona, e cila mbeti e ankoruar në Dubai si pasojë e konfliktit. Kompania e kroçerave më herët gjatë kësaj jave njoftoi gjithashtu se do të anulojë tre lundrimet e mbetura nga Dubai gjatë muajit mars.
“E kuptojmë se kjo do të jetë zhgënjyese, por jemi të bindur se mysafirët e prekur do ta kuptojnë këtë vendim”, thuhet në deklaratën e kompanisë.
Në total, këto ndërprerje në udhëtimet globale janë ndër më të mëdhatë që ka parë industria, e cila vlerësohet rreth 11,7 trilionë dollarë, sipas World Travel & Tourism Council
“Nuk kemi parë diçka të ngjashme me këtë, sinqerisht, jashtë pandemisë së COVID-19, dhe ajo ishte shumë ndryshe. Ishte një problem shëndetësor ku udhëtimi ishte i ndaluar”, tha për Fortune Henry Harteveldt, themelues i kompanisë konsulente të udhëtimeve Atmosphere Research Group.
“Kjo tani është qartësisht luftë, një konflikt ushtarak, dhe po destabilizon udhëtimet në gjashtë kontinentet e banuara të Tokës.”
Rritja dramatike e çmimeve të karburantit për avionë mund të rrisë kostot për pasagjerët para pushimeve verore, madje edhe të çojë në anulimin e fluturimeve, paralajmërojnë analistët.
Ndërprerja e furnizimit nga Gjiri, pas sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, ka rritur çmimin e kerosinës për avionë me më shumë se 80%./Pari