MPB: 21 kallëzime penale për dhunë familjare në dy javët e fundit
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se në dy javët e fundit janë dorëzuar 21 kallëzime penale për gjithsej 25 vepra penale që lidhen me dhunën familjare, prej të cilave gjashtë janë me procedurë të shpejtuar.
Sipas MPB-së, në rajonin e SPB Shkup janë dorëzuar pesë kallëzime penale për dhunë të bazuar gjinore, prej të cilave tre për veprën “rrezikim i sigurisë” dhe dy për veprën “përndjekje”. Gjithashtu janë shqiptuar pesë masa paraburgimi dhe një masë kujdesi.
Pjesa më e madhe e veprave penale të regjistruara lidhen me “rrezikim të sigurisë” (11 raste) dhe një rast për “lëndim trupor”. Ndërkohë janë regjistruar edhe nga një rast për veprat “lëndim i rëndë trupor”, “mosekzekutim i vendimit gjyqësor”, “privim i paligjshëm nga liria”, “tentim për vrasje” dhe “sulm seksual dhe përdhunim”.
Nga MPB bëjnë të ditur se për rastin e tentim vrasjes në Shkup, autori është arrestuar dhe po ndërmerren masa për dokumentimin e plotë të rastit dhe ngritjen e kallëzimit penal përkatës.
Sipas të dhënave sipas sektorëve, SPB Shkup ka dorëzuar pesë kallëzime penale, SPB Kumanovë dy, SPB Shtip tre, SPB Ohër katër dhe SPB Strumicë pesë kallëzime penale, ndërsa nga një kallëzim penal kanë dorëzuar SPB Tetovë dhe SPB Veles.
Gjatë këtyre dy javëve në territorin e gjithë shtetit janë raportuar 39 ngjarje të lidhura me dhunë familjare dhe 63 ankesa për këtë fenomen.
MPB thekson se krahasuar me vitet e fundit, në vitin 2025 është shënuar rritje e numrit të masave të paraburgimit në kuadër të procedurave të shpejtuara, trend që po vazhdon edhe gjatë vitit 2026, veçanërisht pas ndryshimeve ligjore.