Javën e ardhshme pritet propozimi për kryeprokurorin e ri të shtetit
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se gjatë këtyre ditëve pritet të përfundojnë konsultimet dhe Qeveria të dalë me një emër që do të propozohet për kryeprokuror të ri të shtetit.
“Javën e ardhshme presim të përfundojnë konsultimet dhe të dalim me një emër propozim, të cilin do ta dërgojmë në Parlament”, tha Mickoski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vendosjes së gurthemelit për kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.
Kujtojmë se, Këshilli i Prokurorëve, në mbledhjen e 17 shkurtit 2026 shqyrtoi kandidaturat e pesë kandidatëve për pozicionin më të lartë të prokurorit publik – prokuror publik shtetëror. Katër kandidatë për prokuror publik republikan, prokurorja në detyrë Anita Topolova Isajlovska, prokurorët Lidija Raiçeviq dhe Lençe Ristoska, dhe gjyqtari Nenad Saveski, morën mendim pozitiv nga Këshilli i Prokurorëve Publikë. Ndërkaq, për kandidatin Vlladimir Pançevski, dikur i dënuar për keqpërdorim të sistemit AKMIS, Këshilli i Prokurorëve konkludoi se nuk i plotëson kushtet ligjore, sepse nuk ka përvojë pune të pandërprerë prej të paktën 10 vitesh, që është parakusht për t’u vlerësuar si kandidat për pozicionin e Ljupço Kocevskit të shkarkuar. Me këtë, këshilli ia kaloi topin Qeverisë për prokuror të ri publik republikan.
Zgjedhja e kryeprokurorit të ri vjen pasi, më 29 korrik, Parlamenti votoi për interpelancë, në lidhje me punën e Ljupço Kocevskit, dhe ai deklaroi se nuk do të jepte dorëheqjen nga posti i tij, por do t’i përkushtohej edhe më shumë punës së tij. Pas tragjedisë në Koçani, kryeministri Hristijan Mickoski kishte njoftuar për pezullimin e procedurës për shkarkimin e Kocevskit,
duke pasur parasysh hetimin e gjerë që po zhvillohet në lidhje me rastin.
Por, më 16 dhjetor 2025, Kuvendi i Maqedonisë vendosi ndërprerjen e funksionit të Prokurorit Publik të Maqedonisë për Ljupço Kocevskin. Ai paraqiti dorëheqje të parevokueshme në ditën kur Kuvendi do të shqyrtonte propozimin e Qeverisë për shkarkimin e tij. Deri në zgjedhjen e prokurorit të ri shtetëror, pozicionin e mban prokurorja Anita Topolova Isajlovska, e cila u zgjodh më 22 dhjetor nga Këshilli i Prokurorëve Publikë.