Tentoi të vr’asë bashkëshorten me pist’oletë! Prokuroria kërkon paraburgim për 55-vjeçarin
Prokuroria Themelore e Shkupit ka hapur procedurë hetimore ndaj një 55-vjeçari të dyshuar për tentim vrasjeje dhe rrezikim të sigurisë pas një rasti të dhunës në familje.
Sipas Prokurorisë, më 1 mars në shtëpinë familjare ai nxori një pistoletë që e posedonte me leje, e mbushi dhe qëlloi një plumb drejt bashkëshortes së tij, por plumbi kaloi pranë saj, u përplas në parket dhe përfundoi në dritare.
Pas incidentit, i dyshuari zbriti në katin e poshtëm dhe u tha dy vajzave se kishte qëlluar ndaj nënës së tyre, ndërsa ato bashkë me të dëmtuarën u larguan nga shtëpia.
Ngjarja nuk përfundoi me kaq. Sipas hetuesve, më 5 mars ai përsëri e kërcënoi bashkëshorten me pistoletë para dy fëmijëve me qëllim që ta frikësonte dhe shqetësonte.
Prokurori publik i ka propozuar gjykatës që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e paraburgimit, duke vlerësuar se ekziston rrezik arratisjeje, mundësi për ndikim mbi dëshmitarët dhe rrezik që ai të përfundojë veprën që kishte tentuar ta kryente.