Për herë të parë “Marsi i Jasharajve” edhe në Evropë
Më 8 mars, në Firencë të Italisë do të mbahet manifestimi përkujtimor “Kushtrimi i Lirisë”, një ngjarje me karakter kombëtar dhe kulturor që i kushtohet sakrificës së familjes Jashari.
Në këtë manifestim do të marrë pjesë edhe Lulzim Jashari së bashku me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqiptare, të cilët do të sjellin një program artistik në nderim të qëndresës dhe sakrificës së familjes legjendare të komandantit Adem Jashari.
Adnan Azizi nga koalicioni VLEN, përmes një postimi në Facebook, bëri thirrje që shqiptarët që jetojnë në Firencë dhe në mbarë Italinë të marrin pjesë në këtë manifestim të veçantë, i cili synon të ruajë kujtesën historike dhe të forcojë lidhjen e diasporës me vlerat kombëtare.
“Ftoj të gjithë shqiptarët në Firencë dhe gjithandej Italisë që të marrin pjesë në këtë manifestim të jashtëzakonshëm kombëtar e kulturor”- ka shkruar Azizi.
Manifestimi pritet të mbledhë bashkatdhetarë nga qytete të ndryshme të Italisë, për të përkujtuar sakrificën e familjes Jashari dhe për të nderuar historinë e rezistencës shqiptare.
Programi i manifestimit përfshin një sërë aktivitetesh kulturore dhe përkujtimore. Në skenë do të prezantohen artistë nga shoqatat shqiptare aktive në Itali me një program kulturor-artistik, ndërsa në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve shqiptare si dhe aktivistë të jetës shoqërore të mërgatës. Në manifestim do të jenë të pranishëm edhe pjesëtarë të familjes Jashari nga Kosova. Mysafir special i aktivitetit do të jetë Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve nga Maqedonia e Veriut. Po ashtu, do të hapet edhe ekspozita fotografike “Prekazi – dashuri, dhimbje dhe krenari kombëtare” nga Sefer Aliçkaj.