Kasami dhe Durmishi në Tetovë zbulojnë rëndësinë dhe përfitimet nga ligji për angazhim sezonal
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami dhe Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, morën pjesë në sesionin informues kushtuar Ligjit për Angazhimin e Personave në Punë, i cili ka hyrë në fuqi më 1 janar 2026.
Në fjalën e tij, Kasami theksoi se rregullimi i drejtë i tregut të punës është interes i përbashkët ekonomik dhe shoqëror, duke e vlerësuar ligjin si një reformë të rëndësishme strukturore për formalizimin e angazhimeve sezonale dhe të përkohshme.
“Ky ligj përfaqëson një reformë të rëndësishme strukturore, sepse për herë të parë vendos në kornizë të qartë ligjore angazhimet sezonale, të përkohshme dhe të rastit që nuk krijojnë marrëdhënie klasike pune. Ai nuk zëvendëson kontratat e rregullta të punës, por rregullon format që deri dje shpesh mbeteshin në hije, duke vendosur kufizime të qarta kohore për të parandaluar keqpërdorimet dhe duke garantuar regjistrim të detyrueshëm elektronik për çdo angazhim”, deklaroi Kasami.
Kasami nënvizoi se ligji nuk zëvendëson kontratat e rregullta të punës, por vendos kornizë të qartë për format e angazhimeve që deri më tani shpesh mbeteshin jashtë mbikëqyrjes institucionale.
Ai theksoi se përmes sistemit elektronik e-Punë, përcaktohen qartë të drejtat dhe detyrimet e palëve, si dhe rregullohen kontributet dhe aspektet tatimore, duke garantuar ruajtjen e të drejtave si pensioni dhe mbrojtja sociale.
“Ligji sjell një qasje më të thjeshtë dhe më funksionale përmes sistemit elektronik e-Punë, por thelbi i tij është më i thellë. Ai përcakton qartë të drejtat dhe detyrimet e palëve, rregullon aspektet tatimore dhe kontributet për sigurime shoqërore dhe, mbi të gjitha, garanton ruajtjen e të drejtave të fituara si pensioni, statusi i studentit dhe mbrojtja sociale. Kjo krijon siguri juridike për punëtorin dhe parashikueshmëri për punëdhënësin. Për një qytet si Tetova, me një ekonomi të larmishme angazhimi sezonal dhe i përkohshëm është realitet i përditshëm. Prandaj, zbatimi i drejtë i këtij ligji nënkupton më pak ekonomi të zezë, më shumë konkurrencë të ndershme dhe standarde të barabarta për të gjithë”, shtoi Kasami.
Kryetari Kasami theksoi se qëllimi i këtij sesioni ishte sqarimi praktik i procedurave të regjistrimit dhe çregjistrimit elektronik, si dhe adresimi i çdo paqartësie që lidhet me zbatimin e ligjit.
Ai ritheksoi se Komuna e Tetovës mbetet e përkushtuar për bashkëpunim me institucionet qendrore dhe sektorin privat, me synimin për të ndërtuar një treg pune më të formalizuar, më transparent dhe më të qëndrueshëm në nivel lokal.