Dy vrasje të konfirmuara, prokuroria heton një vrasës serial të dyshuar nga Kumanova
Autoritetet në Maqedoninë e Veriut po hetojnë një rast të rëndë penal që dyshohet të ketë elemente të një vrasësi serial, i cili sipas hetimeve paraprake ka targetuar kryesisht gra që jetonin vetëm, raporton VOXAL.
Deri në këtë fazë, Prokuroria Publike ka konfirmuar dy vrasje, për të cilat dyshohet një 25-vjeçar si autor. Ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit dhe hetimi po zhvillohet në disa drejtime.
Prokuroria ka dhënë urdhër për zhvarrimin (eksumimin) e një viktime tjetër të mundshme, për të verifikuar nëse vdekja e saj ka qenë pasojë e veprës penale. Po ashtu, sipas prokurorëve, ekziston mundësia që të zhvarroset edhe një rast tjetër i dyshimtë, për të cilin ka indicie se mund të lidhet me të njëjtin person.
Hetuesit po analizojnë dokumentacionin policor dhe mjeko-ligjor për raste të vdekjeve të dyshimta, ndërsa nuk përjashtohet që me avancimin e hetimit të dalin viktima të tjera të mundshme, si dhe të zgjerohen periudhat kohore në të cilat dyshohet se janë kryer krimet.
Prokuroria thekson se hetimi është në fazë intensive dhe se çdo rast po trajtohet veçmas, me ekspertiza të detajuara mjeko-ligjore dhe analiza shtesë, për të sqaruar plotësisht rrethanat.VOXAL