Kurti mbledh Këshillin e Sigurisë pas ngjarjeve në Iran
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, që lidhen me osulmin e Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Iranit.
Sipas njoftimit zyrtar, në mbledhje është diskutuar situata e sigurisë dhe implikimet e mundshme për Republika e Kosovës dhe rajonin. Kurti ka ritheksuar qëndrimin e institucioneve kosovare se vendi mbetet i palëkundur në mbështetje të aleatëve strategjikë, veçanërisht SHBA-ve, në përpjekjet për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar.
Në njoftim thuhet se Kosova, në përputhje me orientimin e saj euroatlantik dhe partneritetin e ngushtë me SHBA-të, mbështet veprimet e ndërmarra ndaj objektivave të regjimit të ajatollahëve në Iran, duke i vlerësuar si masa për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm dhe kufizimin e kapaciteteve destabilizuese në rajon.
Njëkohësisht, Kosova ka shprehur solidaritet me popullin e Iranit dhe aspiratat e tyre për liri, dinjitet dhe të drejta themelore.
Institucionet kanë bërë të ditur se janë ndërmarrë masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në vend, ndërsa zhvillimet në Lindjen e Mesme po monitorohen nga afër, në koordinim të vazhdueshëm me partnerët strategjikë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë, të informohen vetëm përmes burimeve zyrtare dhe të mos bien pre e dezinformatave apo propagandës që synon destabilizimin dhe përhapjen e pasigurisë.
Në përfundim, theksohet se Kosova mbetet një partnere e përkushtuar e komunitetit euroatlantik dhe do të vazhdojë të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta për paqe, siguri dhe stabilitet global.