Mexhiti: Ilir Demiri deputet i ri i VLEN-it, shumica mbështet modelin me bashkëkryetarë
Kryetari i Lëvizja Demokratike, Izet Mexhiti, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda koalicionit VLEN, duke theksuar se procesi i bashkimit të subjekteve politike brenda tij po vazhdon.
Në një deklaratë për media, Mexhiti bëri të ditur se Ilir Demiri tashmë është deputet i VLEN-it. Ai theksoi se edhe Arben Fetai, Mimoza Musa dhe Azir Aliu po punojnë për shkrirjen e strukturave të tyre në një subjekt të vetëm politik brenda VLEN-it, ndërsa shtoi se të njëjtin hap pritet ta ndërmarrë edhe Lëvizja Demokratike.
Mexhiti deklaroi se aktualisht është duke u zhvilluar një proces i gjerë bashkimi politik, duke rikujtuar se votuesit shqiptarë në të kaluarën kanë kërkuar bashkimin e opozitës, gjë që – sipas tij – solli ndryshimin e pushtetit dhe përfaqësimin e shqiptarëve në qeveri. Ai tha se kërkesa e sotme e elektoratit është që të shmangen ndarjet dhe fragmentarizimi, ndërsa VLEN të funksionojë si një subjekt i vetëm politik.
Sipas tij, procesi i bashkimit ka nisur më herët nga Bilall Kasami, i cili i shkriu organet e Lëvizja Besa, ndërsa hapa të ngjashëm po ndërmerren edhe nga përfaqësues të Aleanca për Shqiptarët.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Alternativa nuk pajtohet me idenë e udhëheqjes së partisë me dy kryetarë, Mexhiti u shpreh se shumica brenda VLEN-it e mbështesin këtë model organizimi.
Ai paralajmëroi gjithashtu se në ditët në vijim Lëvizja Demokratike pritet të thërrasë Kuvendin Themelues për t’u shkrirë në VLEN, me qëllim që të gjitha strukturat të veprojnë të bashkuara dhe me një zë të vetëm politik.