Presidenti i Shqipërisë viziton Çairin, Tetovën e Çashkën
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, fillon vizitën e tij zyrtare në Maqedoninë e Veriut, me një agjendë të pasur takimesh institucionale dhe vizitash në disa komuna me rëndësi për komunitetin shqiptar.
Gjatë qëndrimit në vend, presidenti do të vizitojë dy nga komunat kryesore shqiptare – Komuna e Çairit dhe Komuna e Tetovës – të cilat konsiderohen qendra të rëndësishme politike, kulturore dhe shoqërore të shqiptarëve. Vizita e tij në këto komuna pritet të shoqërohet me takime me drejtues vendorë dhe aktivitete simbolike.
Në Çair, presidenti do të zhvillojë aktivitetet e para zyrtare, ku do të pritet nga kryetari Izet Mexhiti, ndërsa më pas bashkë do ta vizitojnë Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ndërsa do ta përfundojnë takimin me vendosjen e luleve pranë përmendores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeu.
Një nga ndalesat më të veçanta të vizitës do të jetë në Komunën e Çashkës, një zonë rurale që për herë të parë në historinë e saj drejtohet nga një kryetar shqiptar.
Në ditën e dytë të vizitës, ai do të pritet në takim nga presidentja e vendit, Gordana Siljanovska – Davkova, ndërsa më pas do të vizitojë edhe Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku do të zhvillojë takim me kryekuvendarin Afrim Gashi dhe do t’u drejtohet deputetëve me një fjalim zyrtar.
Vizitën do ta përmbyllë të shtunën në Tetovë ku do të takojë kryetarin e saj Bilall Kasami dhe do të marrë pjesë në organizimin për nderë të tij. VOXAL